Këshilltari i kryeministrit dhe zyrtari i Lëvizja Vetëvendosje, Jeton Zulfaj, ka reaguar pas shpalljes së dekretit për shpërndarjen e Kuvendit nga presidentja Vjosa Osmani.
Në një postim në Facebook, Zulfaj theksoi se Vetëvendosje ka respektuar plotësisht Kushtetutën gjatë gjithë procesit dhe ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për zhvillimin e procedurës së zgjedhjes së presidentit.
Ai shtoi se seanca u ndërpre për shkak të mungesës së deputetëve, por do të vazhdojë sapo të sigurohet prezenca e tyre, duke theksuar se partitë opozitare nuk sollën kandidatë për të garuar.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! e respektoi Kushtetutën në plotni. 1. Vendosi dy kandidatë që të ketë garë. PDK dhe LDK së bashku kanë 37 deputetë, por nuk sollën asnjë kandidat. 2. Filloi seancën që të niste procedura brenda afatit. 3. Bëri të gjitha veprimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, deri te konstatimi i prezencës së deputetëve në sallë. 4. Ndërpreu seancën për mungesë të deputetëve, për ta vazhduar kur ata të kthehen në sallë, siç e kanë obligim dhe detyrim kushtetues”, thuhet në reagimin e tij.
“Vitin e kaluar na humbën kohë duke bojkotuar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit; tash duan të na humbin kohë sërish duke bojkotuar zgjedhjen e presidentit. Por presidenti duhet të zgjedhet”, ka thënë ai.