Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, po qëndron për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai është takuar me kongresistin Mike Lawler, ku është diskutuar edhe për vendimin e padrejtë të Dhomave të Specializuara të Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
"Është e rëndësishme të dallojmë atë që është thënë e pretenduar nga ajo që është provuar dhe vendosur nga gjykata", ka shkruar Kurti.
Tutje, Kurti tha se pretendimi për “Shtëpinë e Verdhë” dhe trafikimin e organeve, mbi të cilin u krijua pjesa dërrmuese e narrativës që parapriu themelimin e Dhomave të Specializuara, nuk ishte fare pjesë e aktakuzës.
"Ra pretendimi për krime kundër njerëzimit dhe sulme të gjera e sistematike ndaj popullatës civile. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte dhe mbetet e drejtë, e nuk mund të njolloset në asnjë mënyrë. Ndërsa shqetësuese mbetet jotransparenca e Gjykatës Speciale që nga nisja e punës së saj e deri sot, si dhe dënimet e rënda pas vendimit që lëngon nga pasaktësia historike dhe faktike", ka shkruar ai.