Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili gjendet në burg ka pretenduar se njëra nga kërkesat që i është bërë gjatë qëndrimit në burg ka qenë të heqë dorë nga drejtimi i bashkisë dhe t’ia delegojë atë Arbër Hajdarit.
Në një postim në Facebook, Veliaj ka publikuar një letër që thotë se e ka shkruar me dorën e tij, ku përshkruan atë që pretendon se është diskutuar gjatë takimit me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu.
Sipas shënimeve të Veliajt, në takim i është komunikuar se transferimi dhe izolimi i tij në burg janë shoqëruar me tri kërkesa. Njëra prej tyre, sipas tij, ishte: “Hiq dorë nga bashkia TR dhe delegoje (te Arbër Hajdari)”.Veliaj pretendon se dy kërkesat e tjera kishin të bënin me pranimin e përfshirjes në protestat e studentëve, në të kundërtën e të cilit, sipas tij, do t’i shtoheshin akuzat për “prishje të rendit kushtetues”, si dhe ndërprerjen e këshillimit me Plarent Ndrecën.
Ai ka mohuar se ka organizuar apo financuar protestat dhe e ka sfiduar kryeministrin Edi Rama që të publikojë një provë për këto pretendime.“Unë vërtet kam më pak liri sesa Kryeministri, por kam shumë herë më tepër dinjitet se ai”, ka shkruar Veliaj.