Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, po vazhdon përpjekjet intensive për adresimin institucional dhe trajtimin e drejtë të rastit të arrestimit të shtetasit kosovar, z. Arbnor Spahiu, nga autoritetet serbe.
Sot , Zyra Ndërlidhëse ka marrë njoftim nga avokati mbrojtës i z. Spahiu se Gjykata e Lartë e Suboticës ka vendosur vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj tij për edhe 30 ditë të tjera.
Spahiu u arrestua më 7 qershor 2025 dhe masa e parë e paraburgimit ndaj tij u vendos më 9 qershor. Ai po përballet me akuza të ngritura nga Prokuroria e Lartë e Suboticës, me pretendime për përfshirje në rastin e Banjskës
Njoftimi i plotë i MPJD-së:
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, po vazhdon përpjekjet intensive për trajtimin e drejtë dhe adresimin institucional të rastit të arrestimit të z. Arbnor Spahiu nga autoritetet serbe.
Në kuadër të këtij angazhimi, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi, informon opinionin publik se sot, e mërkurë, më 9 korrik 2025, pas kontaktit me avokatin mbrojtës të z. Arbnor Spahiu, është njoftuar se Gjykata e Lartë e Suboticës ka vendosur vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj tij për edhe 30 ditë të tjera.
Z. Spahiu ishte arrestuar më 7 qershor 2025 dhe ndaj tij u shqiptua masa fillestare e paraburgimit më 9 qershor. Prokuroria e Lartë e Suboticës ka iniciuar procedurë penale me pretendimet për përfshirje të z. Spahiu në rastin e Banjskës, megjithatë, sipas avokatit mbrojtës, deri më tani nuk është paraqitur asnjë provë apo dëshmi e besueshme që do të rëndonte pozitën e tij ligjore.