Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) ka njoftuar se po vazhdon me mbledhjen dhe ruajtjen e dëshmive autentike mbi krimet e luftës në Kosovë, duke pasuruar vazhdimisht fondin arkivor me materiale të vlefshme.
“Fotoreporteri i njohur, Ridvan Slivova, ka bërë dorëzimin zyrtar të materialeve dokumentuese, të cilat përbëjnë dëshmi të çmuara që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe përfaqësojnë një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e së vërtetës historike dhe drejtësisë”, thotë ky institut.
Po ashtu Shefki Mexhuani, ish-drejtor Ekzekutiv i Fondit “Vendlindja Thërret”, me vendqëndrim në SHBA, nënshkroi procesverbalin për dorëzim-pranim të materialeve arkivore që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe sigurojnë ruajtjen e dëshmive të rëndësishme për gjeneratat e ardhshme. “Në kuadër të këtij angazhimi, Gani Vila, drejtor i televizionit Albanian TV of America në SHBA, nënshkroi procesverbalin për dorëzim-pranim të materialeve mediatike, të cilat kontribuojnë në dokumentimin e krimeve të luftës dhe në ruajtjen e informacionit historik për brezat e ardhshëm”, thuhet në njoftim.
Ndër të tjera theksohet se stafi i IKKL-së zhvilloi gjithashtu një takim me gazetaren Ilire Zajmi, e cila u njoh nga afër me punën e Institutit, vizitoi arkivin dhe përgëzoi stafin për kontributin e vazhdueshëm, duke shprehur gatishmërinë për t’i dorëzuar Institutit materialet e saj dokumentare që pasqyrojnë krimet e luftës.
