Ish-ambasadori i Kosovës, Sylë Ukshini, ka kritikuar Bashkimin Evropian dhe ambasadorët e vendeve anëtare në Prishtinë, duke i akuzuar për standarde të dyfishta sa i përket pavarësisë së gjyqësorit.
Në një postim, ai ka thënë se, ndërsa për javë të tëra kanë kërkuar respektimin e vendimeve të Gjykatës Speciale, ambasadorët kanë ndërhyrë për të ndikuar që Gjykata Kushtetuese të mos i shqyrtojë ndryshimet e Ligjit për Specialen.
Ukshini ka vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e qëndrimeve të ambasadorëve, duke theksuar se pavarësia e gjyqësorit nuk mund të jetë parim vetëm kur vendimet u përshtaten atyre.
Sipas tij, vizita në Gjykatën Kushtetuese ua ka dëmtuar vetë ambasadorëve argumentin kryesor për Gjykatën Speciale, duke e përmbyllur reagimin me shprehjen: “Ra ky mot e u pamë!”
Postimini plotë:
Bashkimi Evropian, shtetet anëtare dhe ambasadorët e tyre në Prishtinë kanë javë të tëra që përpiqen të na bindin se Gjykata Speciale është e pavarur dhe se vendimet e saj duhen respektuar pa kushte.
Por një ditë të bukur, të njëjtët ambasadorë i pamë duke trokitur në dyert e Gjykatës Kushtetuese, për të ndikuar që ajo të mos shqyrtojë ndryshimet e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Tani, cilës përrallë duhet t’i besojmë? Asaj për pavarësinë e gjykatave dhe respektimin e vendimeve të tyre, apo asaj ku ambasadorët duan të përcaktojnë vetë se çfarë duhet të shqyrtojë një gjykatë dhe cilat vendime meritojnë respekt?
Me sa duket, pavarësia e gjyqësorit është parim i shenjtë vetëm për aq kohë sa gjykatat marrin vendime që u pëlqejnë ambasadorëve.
Me një vizitë në Gjykatën Kushtetuese, ambasadorët arritën atë që kritikët e Gjykatës Speciale nuk do ta arrinin dot me sa shkrime, ia rrëzuan vetes të vetmin argument që ju kishte mbetur për Gjykaten Speciale.
Ra ky mot e u pamë