Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka paralajmëruar se vendi do të vazhdojë të jetë nën ndikimin e masave të ftohta ajrore, ndërsa gjatë pesë ditëve të ardhshme temperaturat do të mbeten dukshëm të ulëta, me vlera minimale që në disa zona mund të zbresin deri në -13 gradë Celsius.
Sipas parashikimit të IHMK-së, për periudhën 30 nëntor – 4 dhjetor 2026, moti do të karakterizohet me vranësira të ndryshueshme dhe intervale me diell, ndërsa në të gjithë territorin do të ketë kushte për paraqitjen e ngricave.
Temperaturat minimale pritet të lëvizin nga -7 deri në -13 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga -4 deri në 3 gradë Celsius. Era do të fryjë kryesisht nga verilindja dhe veriperëndimi, me shpejtësi prej 1 deri në 6 metra për sekondë.
IHMK-ja ka bërë të ditur se të mërkurën dhe të enjten pritet intensitet më i theksuar i ngricave, për shkak të temperaturave shumë të ulëta. Ndërkaq, të premten parashihet një rritje e lehtë e temperaturave maksimale, të cilat lokalisht mund të arrijnë deri në 3 gradë Celsius.
Megjithatë, kjo rritje nuk pritet të jetë e mjaftueshme për eliminimin e ngricave. Sipas institutit, kushtet meteorologjike do të favorizojnë ngrirjen e sipërfaqeve të rrugëve, veçanërisht gjatë natës dhe në orët e hershme të mëngjesit.
Rreziku më i madh pritet të jetë në viset malore, në ura dhe në rrugët që ndodhen në hije. Për këtë arsye, pjesëmarrësve në komunikacion u rekomandohet kujdes i shtuar gjatë qarkullimit.
Si do të jetë moti gjatë pesë ditëve?



