Kalo te përmbajtja
Demos
Keni lajm?
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Menyja
  • Ballina
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Pamja
Demos

Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

Rubrikat

VideoLajmeNdërkombëtareSportMagazineTeknologjiStilKëndvështrime

Demos

Rreth neshPolitika editorialeKontaktPrivatësiaKeni lajm?
Gazeta Demos SH.P.KRr. “Uran Ajeti”, 68, Prishtinëinfo@gazetademos.commarketing@gazetademos.comTel: +383 48 579 555
© 2026 Demos. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Lajme

UÇK do të triumfojë edhe më 16 shtator -  Kosova nuk e duron padrejtësinë!

GD
Gazeta Demos15 shtator 2026 në 16:49
UÇK do të triumfojë edhe më 16 shtator -  Kosova nuk e duron padrejtësinë!

 

Ata që gjatë viteve 1998-1999 e kanë penguar dhe sabotuar luftën e UÇK-së, e që sot e gjithë ditën bashkë me pasardhësit e tyre vazhdojnë ta sabotojnë produktin e UÇK-së - lirinë dhe shtetin e Kosovës, nuk mund ta ndryshojnë të vërtetën historike të rrugës sonë të lirisë. Ashtu siç kam qenë i bindur në vitet e luftës, jam i bindur edhe sot se Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të triumfojë. UÇK do të triumfojë edhe me 16 shtator, duke triumfuar drejtësia dhe e vërteta e luftës sonë për liri. Duke besuar në vlerat e drejtësisë, kam bindjen që drejtuesit e luftës, Thaçi, Krasniqi, Veseli e Selimi do të fitojnë pafajësinë dhe do t'iu kthehen familjeve të tyre dhe atdheut për lirinë e të cilit luftuan. Kosova po pret drejtësi, po pret fitore të drejtësisë! Prandaj, edhe kësaj radhe lufta e drejtë e UÇK-së do të triumfojë! Kosova nuk do ta pranojë e as nuk do ta durojë asnjëherë padrejtësinë. Këtë e ka dëshmuar çdoherë në kohë vendimtare!

 

 

Shkruan: Arianit Bytyçi

 

Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli kur e nisën angazhimin e tyre për ta themeluar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishin studentë të Universitetit të Prishtinës, që asokohe pas mbylljes së UP-së nga Serbia mbanin ligjeratat jashtë ndërtesave universitare, pra në shtëpitë private që qytetarët shqiptarë kishin lëshuar për mbijetesën e Universitetit. Ndërsa, Jakup Krasniqi ishte në vitet e para të daljes nga burgu politik i Serbisë dhe kthimit në burgun e madh të Kosovës, siç do të theksonte simboli i rezistencës sonë kombëtare Adem Demaçi pas daljes nga burgu.

Vetëm ky rikthim në kohë, në fillim të nëntëdhjetave, dëshmon më së miri rrethanat, kontekstin kohor të mungesës së lirisë dhe mbi të gjitha qëllimin fisnik e guximin kombëtar për të luftuar për liri. Thaçi, Selimi, Veseli e Krasniqi ishin idealistë, pasi Kosova më shumë se asnjëherë pikërisht në atë kohë kishte nevojë për njerëz të këtij kalibri. Dhe vetëm disa vite më vonë, pikërisht këto figura natyrshëm do të merrnin përgjegjësinë ta udhëhiqnin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në luftën e saj për çlirimin e Kosovës dhe ndërtimin e shtetit demokratik të Kosovës. Dhe qëllimi u arrit: Kosova u çlirua me 12 qershor 1999 dhe u pavarësua me 17 shkurt 2008.

Më kujtohet si sot kur në një nga ditët e para të qershorit 1998 u lajmërova në telefonin e banesës. Ishte një zë burri që fliste me qetësi e mirësjellje. U prezantua me emrin, me nofkën Studenti dhe kërkonte babanë tim, gazetarin Nuhi Bytyçi. Në vazhdim, po bisedonte me babanë tim, të cilin e kishte takuar vetëm disa ditë më parë në malet e Kosovës dhe po i thoshte se mund të vish në 2 ditët e ardhshme për ta xhiruar paraqitjen e parë publike të zëdhënësit të UÇK-së. Ky burrë më vonë nga babai mora vesh se ishte Hashim Thaçi. Dhe këtë e mora vesh vetëm kur ai u shpall drejtues politik i UÇK-së, jo më herët. Para se të emërohej drejtues politik i UÇK-së, Hashim Thaçi drejtonte informimin dhe komunikimin publik të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe në këto kapacitete ndihmonte babin që në krijimin e mundësive për të realizuar emisione nga zonat e luftës në mbështetje të UÇK-së. Kush do të besonte se vetëm 2 vite më vonë, që nga janari i vitit 2000 dhe në vitet në vazhdim do të bashkëpunoja me Thaçin e UÇK-së e do ta mbështesja pikërisht në fushën e komunikimit me publikun atë dhe subjektin e tij politik dhe më vonë edhe qeverinë që ai udhëhiqte gjatë procesit të shtetndërtimit të Kosovës.

Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin i mbaj mend nga pritja e Vitit të Ri 1999 në kohë lufte bashkë me bashkëluftëtarët e tyre në Fshat të Ri,  Lladroc, Javur, Banjë e Guriq. Rexha si një luftëtar i ri, që shuhej me oratorinë e tij dhe me formimin e tij letrar e artistik, me Pentiumin e tij kishte arritur që në kushte lufte të dizajninte kalendarin e Vitit të Ri 1999, që do të ishte viti i çlirimit të Kosovës. Kalendarin e kishte vendosur në murin e shtëpisë ku vepronte një pjesë e ShP të UÇK-së në Fshat të Ri.

Për Kadri Veselin- Lulin, babai im Nuhiu më kishte folur fjalët më të zgjedhura. Më kishte folur për afërsinë e tij, për çiltërsinë e tij si luftëtar, i cili bashkë me Hashim Thaçim, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Fatnir Limajn, Ferat Shalën, Ramë Bujën, Bislim Zyrapin, Shaban Shalën, Sulejman Selimin, Agim Çelajn, Ismet Jasharin, Fehmi Lladrovcin, Rrustem Mustafën,  Lahi Brahimajn, Shukri Bujen, Rrahmen Ramën, Kadri Kastratin, Tahir Sinanin, Sami Lushtakun, Ramush Haradinajn, Sokol Bashotën, Nuri Bexhetin, Haxhi Shalën  e shumë drejtues tjerë të UÇK-së, e mbështesnin punën e madhe të ekipit televiziv të Programit Satelitor të Kosovës në kuadër të Televizionit Shqiptar, në zonat e luftës, që e udhëhiqte babi dhe axha Abaz.

Sot është anakronike dhe jashtë çdo logjike racionale ligjore dhe politike, që mbi 30 vite nga fillimi i angazhimeve për ta themeluar dhe organizuar UÇK-në për ta çliruar Kosovën, pikërisht drejtuesit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Thaçi e Krasniqi të Politikës së luftës, Selimi i Operativës dhe Veseli i Inteligjencës së luftës, gjenden prapa grilave në një proces të stisur nga Raporti skandaloz e i pabazuar i Dick Martyt për kinse trafikim organesh nga UÇK-ja, që u hodh poshtë nga vetë ata që hetuan me vite të tëra këto pretendime monstruoze.

Shumë vite pas shfaqjes së Marty-t me raportin e tij famëkeq, në një kohë të tentimit të ekuilibrave të SHBA-ve me Rusinë, partnerët tanë ranë në grackën ruse dhe bënë presion të padrejtë mbi institucionet e Kosovës që të themelojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, të cilat do të trajtonin pretendimet e Raportit të Maryt. Asokohe si drejtor i Zyrës për Komunikim me Publikun të kryeministrit Thaçi isha dëshmitar i guximit, i gatishmërisë dhe lidershipit të z Thaçi për t'u përballur në mënyrë të hapur me pretendimet e pabazuara dhe qëllimkëqija të Dick Martyt. Qeveria e Kosovës ofroi mbështetjen e gjithanshme dhe bashkëpunimin institucional për hetimin e këtyre pretendimeve. Në fund, pas shumë vitesh hetime jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri e gjetiu, Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, të themeluara nga Kuvendi i Kosovës pas një presioni të paprecedent ndërkombëtar pikërisht mbi drejtuesit e Qeverisë e të Kuvendit të Kosovës, që kishin qenë edhe drejtues të UÇK-së, e që ishim vënë padrejtësisht në shënjestër të Rusisë e Serbisë përmes Gjykatës Speciale, edhe me aprovimin e heshtur të partnerëve tanë ndërkombëtarë të cilët synonin ekuilibra politik me Rusinë, akuzuan drejtuesit kryesorë të luftës sonë çlirimtare. Çmimi për Kosovën ishte i lartë, jashtëzakonisht i lartë: në procesin e avancimit e të konsolidimit të shtetit të Kosovës, po nxirrej nga zyra presidenti i vendit, drejtuesi politik i luftës për liri, kryesuesi i delegacionit shqiptar rë Kosovës në bisedimet e Rambujesë dhe Parisit, ish-kryeministri Hashim Thaçi. Po burgosej ish-kryetari i Kuvendit, kuvendit që kishte shpallur Pavarësinë e Kosovës, zëdhënësi i UÇK-së, bashkëdrejtuesi i grupit politik të delegacionit shqiptar të Kosovës në Rambuje e Paris, Jakup Krasniqi. Po burgoseshin ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, drejtuesi i Inteligjencës së UÇK-së, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, drejtuesi i Operativës së UÇK-së, njeriu që kishte dalë për herë të parë për t'iu drejtuar popullit të Kosovës në emër të UÇK-së, Rexhep Selimi. Dhe, ata për 6 vite do të përballeshin jo me akuzat e Raportit të Dick Martyt, por me një aktakuzë skandaloze, të pabazuar e të paqëndrueshme, pretendimet e së cilës kishin qenë objekt trajtimi i gjykatave ndërkombëtare e vendore në Kosovë, që nga gjykatat e UNMIK-ut dhe EULEX-it e deri te Tribunali i Hagës.

Gjatë tërë procesit të stërzgjatur gjyqësor, është dëshmuar katërcipërisht se një organizim vullnetar, një ushtri vullnetare. siç ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kishte qëllime e objektiva kriminale. U dëshmua që UÇK-ja nuk ishte ndërmarrje e përbashkët kriminale, siç pretendon prokuroria, por UÇK-ja ishte ndërmarrje e përbashkët çlirimtare, siç e tha njëzëri populli i Kosovës me marshin e 12 shtatorit dhe në të gjitha marshet e protestat tjera që nga koha e luftës, ku në mes të Prishtinës jehonte emri i UÇK-së i thirrur me zemër nga rinia prishtinase, e deri te protestat gjithëpopullore të pasluftës, ku në vazhdimësi kërkohet drejtësi për çlirimtarët.

Prandaj, me bindje e besim në drejtësi, natyrshëm pres që vendimi i Trupit Gjykues me 16 shtator 2026 do të jetë në shërbim të konfirmimit të së vërtetës historike se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, një ushtri që doli nga gjiri i popullit, që u themelua nga studentë të Universitetit të Prishtinës, si Hashimi, Rexha, Kadriu, Fatmiri, Remi e shumë bashkëluftëtarë të therë, nga të burgosurit politikë, nga idealistët si Jakup Krasniqi, Ilmi Ramadani, Azem Syla e shumë veprimtarë tjerë, që luftonin për liri e dinjitet, është organizimi më i suksesshëm çlirimtar i Kosovës.

Këtë realitet historik të UÇK-së e kam përjetuar në lëkurën time si nxënës i gjimnazit në vitet 1998-1999, atëherë kur angazhimi për ta mbështetur hapur UÇK-në dhe luftën e saj për liri në qendër të Prishtinës, përveçse guxim e qëllim fisnik ishte krenari e dinjitet. Ata që gjatë asaj kohe e kanë penguar dhe sabotuar luftën e UÇK-së, e që sot e gjithë ditën bashkë me pasardhësit e tyre vazhdojnë ta sabotojnë produktin e UÇK-së - lirinë e Kosovës, nuk mund ta ndryshojnë të vërtetën historike të rrugës sonë të lirisë. Ashtu siç kam qenë i bindur në vitet e luftës, 1998 dhe 1999, jam i bindur edhe sot se Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të triumfojë. UÇK do të triumfojë edhe me 16 shtator, duke triumfuar drejtësia dhe e vërteta e luftës sonë për liri. Duke besuar në vlerat e drejtësisë, kam bindjen që drejtuesit e luftës, Thaçi, Krasniqi, Veseli e Selimi do të fitojnë pafajësinë dhe do t'iu kthehen familjeve të tyre dhe atdheut për lirinë e të cilit luftuan. Kosova po pret drejtësi, po pret fitore të drejtësisë! Prandaj, edhe kësaj radhe lufta e drejtë e UÇK-së do të triumfojë! Kosova nuk do ta pranojë e as nuk do ta durojë asnjëherë padrejtësinë. Këtë e ka dëshmuar çdoherë në kohë vendimtare!

triumfojëkosovashtator

Të ngjashme

Hysni Gucati optimist për aktgjykimin ndaj çlirimtarëve: Nesër Kosova do të festojë

Hysni Gucati optimist për aktgjykimin ndaj çlirimtarëve: Nesër Kosova do të festojë

15:22
Hysni Gucati optimist për aktgjykimin ndaj çlirimtarëve: Nesër Kosova do të festojë

Hysni Gucati optimist për aktgjykimin ndaj çlirimtarëve: Nesër Kosova do të festojë

15:08
Edhe Franca thirrje shtetasve të saj në Kosovë: Tregoni vigjilencë më 16 shtator, qëndroni larg tubimeve

Edhe Franca thirrje shtetasve të saj në Kosovë: Tregoni vigjilencë më 16 shtator, qëndroni larg tubimeve

12:47
‘‘Kemi pas dëshirë që më 16 shtator me pas institucione’’, Hyseni i reagon Grudës: S’e kanë përnime

‘‘Kemi pas dëshirë që më 16 shtator me pas institucione’’, Hyseni i reagon Grudës: S’e kanë përnime

11:25

Më shumë nga Lajme

  • 17:56Komuna e Prishtinës: Nesër ora e parë mësimore t’i kushtohet UÇK-së, historisë së luftës për çlirimin e Kosovës
  • 17:53Tërmkolli: Thaçi e Veseli nuk u fshehën, reagimet “e tipit ISIS” për vendimin janë të dëmshme për Kosovën
  • 17:36Altin Krasniqi: UÇK-ja është historia më e lavdishme e popullit shqiptar
  • 17:36Gani Thaçi: Zor që lindin më burra si Hashimi, Jakupi, Rexha e Kadriu – Presim lirimin e të gjithëve
  • 17:32Verdikti i Hagës, Walker: Po pres me ankth, Prokuroria u bazua në premisa të rreme për UÇK’në – procesi në thelb politik