Gjykata Themelore në Pejë, i ka caktuar dje masën e paraburgimit prej 30 ditësh Albert Sylajt, të dyshuarit për vrasjën e kunatës së tij, Arlinda Zekajt në Pejë.
Pas caktimit të paraburgimit, ka folur avokatja e tij Katarina Vuksani.
Ajo ka njoftuar se detyrën për mbrojtjen e tij e ka marrë pasi është caktuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës, ndërsa ka paralajmëruar disa veprime që do t’i marrë.
“Unë jam avokate e caktuar prej Odës së Avokatëve së Kosovës për mbrojtjen e Alber Sylajt. Pas caktimit të masës së paraburgimit, do të marr të gjithë hapat e nevojshëm ligjor sipas kodit të procedurës penale dhe kodit penal”, ka thënë Vuksani.
Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, ajo për lajmi.net nuk ka dhënë detaje shtesë por që ka thënë se do të njoftoheni për rrjedhën e procedurës.
Caktimi i masës së paraburgimit është bërë në seancën dëgjimore që është mbajtur dje, ndërsa ka kërkuar dorëzani për Albert Sylajn.
Mbrojtësja e Sylajt, avokatja Voksani, dje ka thënë se edhe pse është arratisur i mbrojturi i saj, ai me vetëdëshirë është dorëzuar në shtëpinë e tij në Deçan.
“…por se paraprakisht e ka thirrur nënën e tij në telefon duke i kërkuar hallallin e fundit sepse ka qenë në gjendje të bëjë vetëvrasje për një vepër të tillë të cilën e ka kryer, por që nëna si çdo nënë i ka dhënë “në qoftë se dëshiron edhe mua të më shohësh të vdekur, dhe pash gjinin që ta kam japur mos e kryej një akt të tillë por dorëzoju organeve të ligjit, të cilët do ti marrin parasysh të gjitha rrethanat që kanë ndikuar për ndërmarrjen e një veprimi të tillë“, citohet se deklaroi Voksani.
Më tej, thuhet se avokatja deklaroi se me atë rast, së Njësiti Policor ka shkuar në shtëpinë e të pandehurit për ta arrestuar.
Sipas saj, aty ka qenë edhe vëllai tjetër i Sylajt i cili është në liri, e që policët e kanë sulmuar në mënyrë brutale, duke menduar se është tani i dyshuari.
“I njëjti pas një kohe ka dalur me duar të ngritura lartë dhe ka thënë se unë po vetëdorëzohem për hir të nënës time”, tha Voksani.
Andaj, ajo kërkoi që ndaj Albert Sylajt të caktohet masa e dorëzanisë, ngase sipas saj nuk ekziston rreziku i ikjes dhe se sipas saj, ai ka bashkëpunur me policinë gjatë arrestimit.
Si ndodhi rasti?
Albert Sylaj të dielën e 25 korrikut dyshohet se ka vrarë me sopatë në dhomën e fjetjes së Arlinda Zekajt, këtë të fundit.
Sipas Dosjes së Prokurorisë së Pejës, i pandehuri Albert Sylaj më 25 tetor 2026, rreth orës 21:28 në Vitomiricë, nga hakmarrja e paskrupullt e në mënyrë mizore, privon nga jeta anëtarin e familjes- viktimën Arlinda Zekaj, njëherit ish-gruaja e vëllait të tij (Jeton Sylaj).
Prokuroria thekson se pasi viktima është kthyer në shtëpi nga Stacioni Policor në Pejë, ku e kishte raportuar dhunën nga ana e ish-bashkëshortit të saj Jeton Sylaj, e me këtë kishte shkel edhe urdhrin e mbrojtjes, i pandehuri Albert Sylaj në shenjë hakmarrjeje për ndalimin e vëllait të tij Jetonit nga ana e policisë, në momentin kur viktima hyri në dhomën e saj të fjetjes, i pandehuri e merr sëpatën dhe hyn në dhomën ku ishte viktima e cila mundohet të fshihet pas derës dhe fillon ta godasë në pjesë të ndryshme të trupit- kryesisht në kokë, e për pasojë viktima mbetet e vdekur në vend të ngjarjes.
Sipas Prokurorisë, ekziston rreziku real që i pandehuri, nëse lihet në liri, apo nën ndonjë masë tjetër alternative, do të arratiset. Këto dyshime, Prokuroria i bazon mbi të gjitha rrethanat e rastit, kur dihet se i njëjti menjëherë pas kryerjes vrasjes, është arratisur me veturën e tij, në drejtim të panjohur dhe vetëm pas një pune të gjatë operative, policia ka arritur që ta lokalizojë dhe ta arrestojë.
Po ashtu edhe dënimi që mund t’i shqiptohet në rast se gjendet fajtor për këtë vepër penale, i cili mund të jetë nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm, Prokuroria vlerëson se është një indikator i qartë i mund ta nxitë për t’i ikur përgjegjësisë penale.

