Një deklaratë e bujshme e presidentit amerikan Donald Trump ka nxitur reagime të kundërta nga krerët institucionalë të Kosovës, duke hedhur dritë mbi mungesën e koordinimit në nivelet më të larta të shtetit për një çështje tepër delikate – një sulm të mundshëm serb ndaj vendit tonë.
Trump së fundmi ka pohuar se administrata e tij ka ndërhyrë për të ndaluar një përshkallëzim të situatës mes Kosovës dhe Serbisë, duke pretenduar se “e ka ndalur Serbinë që t’ia mësyjë”. Kjo deklaratë është bërë pjesë e një sërë komentesh nga presidenti amerikan lidhur me tensionet globale, përfshirë ato në Ukrainë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar rolin e Trump në këtë drejtim, gjatë një ligjërate në Uashington. Pa dhënë shumë detaje, Osmani la të kuptohet se institucionet e sigurisë në Kosovë kanë pasur dijeni për rrezikun dhe për përfshirjen e SHBA-së në parandalimin e tij.
“Ai është shumë i qartë në atë që thotë – për ne që i lexojmë përditë raportet tona të sigurisë, dhe nuk na lejohet të themi më shumë, është e qartë nga deklaratat e presidentit Trump se ai po jep një kontribut të jashtëzakonshëm në ndalimin e destabilizimit të rajonit tonë, në javët e fundit”, deklaroi Osmani.
Në anën tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pohuar se nuk ka asnjë informacion për një situatë të tillë dhe as për ndërhyrjen e Trumpit në parandalimin e një sulmi të mundshëm nga Serbia. Ai tha se këto informacione mund të jenë të klasifikuara dhe të mbahen brenda administratës amerikane.