Në muajin që supozohet të festohet dashuria dhe afërsia, statistikat në Kosovë tregojnë një realitet krejt tjetër. Përderisa vitrinat e dyqaneve mbusheshin me simbole festimi, zyrat e gjendjes civile u përballën me një valë të papritur ndarjesh.
Shkurti i vitit 2026, ndonëse muaji më i shkurtër i vitit, u tregua mjaftueshëm i gjatë për t’iu dhënë fund premtimeve martesore.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, tregojnë se gjatë shkurtit, 135 çifte u ndanë, ndërsa krahasuar me muajin janar, rritja konsiderohet për rreth 53.4%. Bazuar në statistika, Prizreni shënoi numrin më të lartë të ndarjeve, ku 19 çifte bashkëshortësh i dhanë fund martesës së tyre, duke u pasuar nga Gjakova me 11 raste të divorceve, e Ferizaj me 10.
Avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi tregoi se pse ky fenomen është në rritje.
Sipas saj, faktori kryesor që çon në prishje të martesave është mospërputhja e karaktereve të bashkëshortëve për jetën e përbashkët.
“Arsye të tjera janë shkelja e besnikërisë, përdorimi i alkoolit dhe lëndëve narkotike”, shtoi avokatja.
Lidhur me këtë dukuri në rritje, për Klankosova.tv ka ndarë mendimet edhe sociologu Labinot Kunushevci.
I pyetur se si ndikon ndarja e prindërve te fëmijët, ai tha se ka impakt emocional dhe social.
“Ndikimi i ndarjes së prindërve te fëmijët është më shumë emocional dhe social. Zhvillimi i fëmijëve kërkon kujdes të shtuar, mbështetje emocionale, trajtim human, që të mos rriten me ndjenjën e inferioritetit, izolimit, mangësive dhe mospërmbushjes”, tha ai.
“Fëmijët përjetojnë ankth dhe kjo mund të ndikojë edhe në performancën e tyre në shkollë, në zhvillimin e raporteve shoqërore e në formimin e personalitetit”, shtoi sociologu.
Se si mund të ulet numri i ndarjeve bashkëshortore, Kunushevci thotë se varet nga mënyra e trajtimit të martesës dhe familjes.
“Zvogëlimi i rritjes së rasteve të divorcit varet nga mënyra se si po trajtohet martesa dhe familja sot. Pra, përderisa kemi të rinj që futen të papërgatitur emocionalisht dhe kulturalisht në martesë duke krijuar familje pa maturinë dhe pjekurinë e nevojshme, në sfidat më të vogla thyhen. Sepse martesa nuk është eksperiment apo aventurë, përtej tyre është përgjegjësi, sakrificë. Pra është ndërmarrja më e rëndësishme e jetës”, deklaroi Konushevci për Klankosova.tv.
Nga ana tjetër, psikologia Flaka Ymeri, për Klankosova.tv ka treguar se si ndikon ndarja në shëndetin mendor të çifteve.
Sipas saj, ndarja nuk është vetëm çështje personale, por edhe sociale.
Ajo thotë se partnerët humbasin një identitet (p.sh. bashkëshort/e), që është pjesë e strukturës së tyre në shoqëri, ndërsa shtoi se pas ndarjes shpesh zvogëlohet rrjeti shoqëror. Ndër të tjera,sipas psikologes, ka stres dhe ankth te disa çifte pasi pasiguria ekonomike dhe emocionale rrit tensionin.
Ymeri shton se mund të shfaqen edhe simptoma të depresionit, ankthit, ose vetëvlerësim i ulët.
