
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton se në kuadër të një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar një person me inicialet B.M., për 48 orë, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ‘’Mashtrimi’’, nga neni 323 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Në kuadër të veprimeve hetimore, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë vitit 2026, ku i dyshuari, “përmes paraqitjes së fakteve të rreme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, dyshohet se ka vënë në lajthitje të dëmtuarit, shtetas të Norvegjisë, duke i nxitur ata të ndërmarrin veprime në dëm të pasurisë së tyre”, vijon njoftimi.
Po ashtu, dyshohet se pasi ka siguruar të dhënat e tyre bankare të personave të dëmtuar, “i dyshuari ka përdorur ato për të realizuar porosi online në dyqane të ndryshme, kryesisht në ato që shiten pajisje elektronike dhe si pasojë e këtyre veprimeve, personave të dëmtuar u është shkaktuar dëm i konsiderueshëm material”, thuhet tutje në njoftim.
Gjatë zbatimit të urdhrit për kontroll, “janë sekuestruar pajisje të ndryshme elektronike, përkatësisht shtatë (7) telefona celular, dy (2) kompjutera, dy (2) USB, një (1) veturë si dhe dokumente të ndryshme, të cilat do të shërbejnë si prova materiale në kuadër të procedurës penale”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”, përfundon njoftimi