“Pas 16 shtatorit Kosova dhe PDK-ja nuk do të jenë të njëjta”, tha kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj teksa iu referua vendimit të Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së.
Ai ka shprehur besimin në drejtësinë ndërkombëtare dhe lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.
Totaj në Gazeta Express ka folur për qeverisjen e tij lokale në Prizren dhe akuzat e bëra nga opozita për pushtetin e tij lokal.
Njeriu që drejton komunën më të madhe të udhëhequr nga PDK-ja, ka qëndrime edhe për çështje nacionale, duke thënë se aksionet e PDK-së për konstitumin e institucioneve do të vazhdojnë, intensifikohen dhe masivizohen.
Ndërsa, i ka thënë PO idesë së kryetarit Përparim Rama që komunat të protestojnë para Qeverisë në detyrë për shkak të pretendimeve që ato po bllokohen nga ekzekutivi.
Pyetje: Tashmë gati keni konsumuar vitin e parë të mandatit të ri 4-vjeçar, a ka nisur realizimi i premtimeve në fushatë, nëse po cilat projekte kanë filluar?
Shaqir Totaj: Disa nga projektet që kanë qenë në vijim po i afrohen fazës finale, ndër to më i rëndësishëm është projekti i teleferikut për Kala, i cili është vonuar për shkak të një kontesti rreth pronës ku do të ndërtohet.
Projektet tjera të rëndësishme që i kemi përmendur si ndërtesa e re e Komunës, parkingjet në disa lokacione, kolektori i ujërave të zeza, përmirësimi i furnizimit me ujë të pijes etj., janë në pritje të një situate më të mirë ekonomike.
Pyetje:Me çfarë sfida përballet Komuna e Prizrenit për shkak të Qeverisë së Albin Kurtit, keni theksuar disa herë se ka bllokim nga qeveria?
Shaqir Totaj: Qeveria përmes përmbaruesit në emër të kontratës kolektive e ka dëmtuar Komunën me 42 milionë euro që nga viti 2022 e vetëm gjatë vitit 2026 na janë marrë afër 20 milionë euro.
Na janë marrë kompetencat për inspektim sanitar, inspektim të tregut, inspektim të ambientit.
Na është marrë kompetenca e rekrutimit të stafit për Komunën e Prizrenit.
Po tentohet të gjitha komunave t’iu merren 100% e pronave që do të shkaktonte pasoja serioze deri në mosfunksionim të komunave.
Pyetje:Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, ka lajmëruar se komunat do të protestojnë për shkak të bllokimeve të vazhdueshme nga Qeveria Kurti, a do të jeni pjesë e organizimeve të kësaj proteste?


