Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është përballur me një kallëzim penal në Milano, i lidhur me të ashtuquajturën aferë “Sarajevo safari”, një skandal që daton nga vitet ’90, kur thuhet se qytetarë nga Italia dhe vende të tjera perëndimore udhëtonin në Bosnje për të qëlluar me snajper mbi civilët e Sarajevës gjatë rrethimit katërvjeçar të qytetit.
Kallëzimi është paraqitur nga gazetari investigativ kroat Domagoj Margetiq, i cili i është bashkuar hetimit të nisur javën e kaluar nga prokurorët e Milanos. Ata po synojnë të identifikojnë shtetas italianë të dyshuar për vrasje me paramendim, të kryer me mizori dhe për motive të ulëta.
Sipas hetimeve, “turistë snajperë” dyshohet se kanë paguar shuma të mëdha ushtarëve të ushtrisë së Radovan Karaxhiqit, ish-lideri i serbëve të Bosnjës, i dënuar në vitin 2016 për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, për t’i dërguar në pozicionet e artilerisë në kodrat përreth Sarajevës, ku ata qëllonin mbi popullatën civile për qejf, raporton The Guardian..
Më shumë se 10 mijë njerëz u vranë në Sarajevë nga snajperët dhe granatimet gjatë viteve 1992–1996, në rrethimin më të gjatë të historisë moderne pas shpalljes së pavarësisë së Bosnje e Hercegovinës.
Burimi i hetimit aktual është puna e shkrimtarit milanez Ezio Gavazzeni, i cili ka mbledhur dëshmi për dekada, si dhe një raport i dorëzuar prokurorëve nga ish-kryetarja e Sarajevës, Benjamina Kariq. Gavazzeni thotë se u rikthye tek këto akuza pas shfaqjes së dokumentarit “Sarajevo Safari” (2022) nga regjisori slloven Miran Zupaniç.
