Pasditen e sotme, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, janë regjistruar momente tensioni gjatë protestës së studentëve, aktivistëve dhe qytetarëve para godinës së Kryeministrisë. Protestuesit kanë hedhur bomba molotov, kapsolla dhe mjete të tjera piroteknike në drejtim të forcave të policisë.
Policia është përgjigjur ndaj këtyre veprimeve duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Situata është përshkallëzuar më tej kur një dron i policisë është rrëzuar mbi protestuesit. Në vijim, forcat e rendit kanë nisur shpërndarjen e turmës duke përdorur sërish gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Pas ndërhyrjes së policisë, protestuesit janë larguar nga bulevardi kryesor, duke u shpërndarë në grupe të vogla nëpër rrugët dytësore të kryeqytetit. Kjo ishte dita e 19-të e protestës, e cila kishte nisur fillimisht para Ministrisë së Arsimit.
Gjatë tubimit para Ministrisë së Arsimit, janë shënuar përplasje të ngjashme me forcat e rendit. Protestuesit kanë hedhur gurë dhe bomba molotov, ndërsa efektivët kanë përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën.
Ndërkohë, Partia Demokratike po zhvillon sot një protestë kombëtare në mbështetje të revoltës studentore. Ky organizim po zhvillohet pavarësisht faktit se, më herët, studentët kanë kundërshtuar përfshirjen e militantëve dhe deputetëve të Partisë Demokratike në protestat e tyre