Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kërkuar që Ligji për Specialen të miratohet nesër në të dyja leximet, duke e cilësuar këtë vetëm si fillimin e një angazhimi më të madh institucional.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka thënë se Kuvendi duhet ta miratojë ligjin me një zë dhe pa e shndërruar procesin në “fushëbetejë për interpretime politike”.
“Nesër nuk duhet të bëhet lojë me asnjërin lexim. Në leximin e dytë duhet ta trajtojmë me shumë kujdes nëse ka mbetur diçka pa u përfshirë në Komisionin për Legjislacion, në mënyrë që të bëhet çdo amendament i nevojshëm që e përmirëson ligjin. Kjo çështje nuk duhet të shndërrohet në fushëbetejë për interpretime politike, e as në garë se kush po paraqitet më i mirë apo më i zëshëm”, ka shkruar ai
Ai ka theksuar se në dy vitet e ardhshme shteti i Kosovës duhet të tregojë seriozitet në raport me procesin gjyqësor në Hagë, duke kërkuar një qasje institucionale, të qëndrueshme dhe të përgjegjshme për mbrojtjen e historisë dhe të vërtetës për luftën çlirimtare.
Tahiri ka përmbyllur se miratimi i ligjit nuk duhet të shihet si fundi i debatit, por si fillimi i një pune më të madhe institucionale në mbështetje të çlirimtarëve.
“Nesër duhet të jetë një nisje e re. Në dy vitet që vijnë, shteti i Kosovës duhet të tregojë seriozitet në raport me procesin gjyqësor në Hagë. Kosova duhet të ketë një qasje institucionale, të qëndrueshme dhe të përgjegjshme për mbrojtjen e historisë dhe të vërtetës për luftën çlirimtare. Nesër nuk duhet të jetë fundi i një debati, por fillimi i një pune më të madhe të shtetit për çlirimtarët”.