Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka ngritur shqetësime lidhur me Projektligjin për Akademinë e Drejtësisë, duke vlerësuar se ai mund të cenojë pavarësinë institucionale të këtij institucioni.
Përmes një postimi, Tahiri ka thënë se Akademia e Drejtësisë ka rol të rëndësishëm në ndërtimin e kapaciteteve profesionale të sektorit të drejtësisë, veçanërisht të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).
Ai ka theksuar se Akademia duhet të ketë kapacitete të mjaftueshme për zhvillimin e programeve moderne dhe cilësore të trajnimit, por njëkohësisht duhet ta ruajë pavarësinë e saj institucionale.
“Akademia e Drejtësisë duhet të jetë një institucion i fortë dhe profesional trajnimi. Ajo duhet të ketë kapacitete të mjaftueshme për të zhvilluar programe moderne, cilësore dhe të përshtatura me sfidat e kohës, në mënyrë që të ndihmojë sektorin e drejtësisë të ecë përpara në reformat e veta. Por, po aq e rëndësishme është që Akademia ta ruajë pavarësinë e saj institucionale si Agjenci”, ka shkruar Tahiri.


