Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë për themelimin e Këshillit të Ministrave për Reformën e Administratës Publike, duke e cilësuar atë si një hap të gabuar dhe devijim nga parimet bazë të qeverisjes.
Në një postim në Facebook, Tahiri theksoi se ky vendim “është një devijim i plotë nga parimet bazë të llogaridhënies dhe përgjegjësisë institucionale për reforma në administratë të shtetit”.
Sipas tij, përgjegjësia për Reformën e Administratës Publike duhet të jetë e përqendruar në një institucion të vetëm, konkretisht në Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike.
“Reforma e Administratës Publike ka adresë të qartë, ajo është tek ministria përkatëse dhe përgjegjëse… Pikërisht aty duhet të qëndrojë përgjegjësia, udhëheqja dhe zbatimi i saj,” ka shkruar Tahiri.
Ai ka kritikuar krijimin e një këshilli të ri ministror, duke e konsideruar të panevojshëm, pasi sipas tij, vetë kabineti qeveritar tashmë funksionon si organ kolegjial vendimmarrës.
