Policia e Kosovës ka njoftuar zyrtarisht për suspendimin e 11 zyrtarëve policorë, lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Sipas njoftimit të Policisë, suspendimet janë bërë bazuar në rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), i cili është duke zhvilluar hetime paraprake lidhur me veprimet apo mosveprimet e zyrtarëve në këtë rast.
Në mesin e të suspenduarve janë ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Pejë, shefi i Sektorit të Hetimeve, ushtruesi i detyrës së shefit të Sektorit të Operativës, komandanti i Nënstacionit në Vitomiricë, si dhe katër hetues policorë.
KOMUNIKATË PËR MEDIA
Suspendohen njëmbëdhjetë zyrtarë policorë
Prishtinë, më 29 tetor 2026
Policia e Kosovës (PK), bazuar në Ligjin e Policisë së Kosovës, Udhëzimin Administrativ për Shkeljet, Masat dhe Procedurat Disiplinore në Policinë e Kosovës si dhe rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), ka suspenduar 11 (njëmbëdhjetë) zyrtarë policorë, lidhur me trajtimin e rastit të viktimës A. Z, të ndodhur në Vitomiricë të Pejës.
Ndaj zyrtarëve policorë është duke u zhvilluar një hetim paraprak nga Inspektorati Policor i Kosovës, lidhur me veprimet apo mos veprimet e tyre në rastin në fjalë. Bazuar në rekomandimin e IPK-së, menaxhmenti i PK-së ka suspenduar: U.D/drejtorin Rajonal në DRP-Pejë, Shefin e Hetimeve Rajonale DRP - Pejë, Komandantin e Stacionit Policor – Pejë, Z.V/komandantin e Stacionit Policor – Pejë, Shefin e Sektorit të Hetimeve në Stacionin Policor –Pejë, U.D/Shefin e Sektorit të Operativës në Stacionin Policor – Pejë, Komandantin e Nënstacionit Vitomiricë dhe 4 (katër) hetues policorë të Stacionit Policor – Pejë.
Suspendimet janë bërë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përgjegjësive individuale, në trajtimin e rastit. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e vlerave, integritetit dhe shërbimit në mënyrë të drejtë e të paanshme, si dhe do të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet relevante.