Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se njësia A3 e termocentralit Kosova A është rikthyer në operim, pas përfundimit të ndërhyrjeve teknike dhe sanimit të problemeve të evidentuara.

Sipas njoftimit të KEK-ut, njësia është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik në orët e para të mëngjesit dhe aktualisht është në operim të rregullt, me gjendje stabile.

“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) njofton se, pas përfundimit me sukses të ndërhyrjeve teknike dhe sanimit të problemeve të evidentuara, njësia A3 e TC Kosova A është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik në orët e para të mëngjesit dhe aktualisht është në operim të rregullt, me gjendje stabile. Rikthimi i njësisë në operim është rezultat i angazhimit intensiv, profesionalizmit dhe përkushtimit të ekipeve teknike, të cilat vepruan me efikasitet për eliminimin e problemeve dhe rikthimin e njësisë në funksion”, ka njoftuar KEK.