Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, i është drejtuar me një letër publike kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, pas protestave të dhunshme të zhvilluara gjatë katër ditëve të fundit, duke i kërkuar zgjidhje politike për situatën e krijuar.
Ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë i ka bërë thirrje Ramës të përballet drejtpërdrejt me qytetarët dhe të marrë përgjegjësi, duke theksuar se besimi nuk mund të rikthehet vetëm përmes deklaratave.
“Jep zgjidhje politike. Pa tabu, pa kufij dhe pa frikë. Dil përballë qytetarëve. Mos u fshih pas shumicës, institucioneve, apo numrit të mandateve. Prano se besimi nuk rikthehet me fjalë, por me përgjegjësi dhe veprime”, ka shkruar Spiropali.
Ajo i ka kërkuar kryeministrit ta përfytyrojë veten në mesin e protestuesve, duke dëgjuar shqetësimet e qytetarëve që, sipas saj, kanë dalë në rrugë sepse ndihen të padëgjuar dhe të papërfaqësuar.
“Përfytyroje veten jo si kryeministër që e sheh protestën nga larg, përmes ekraneve, por si i ri që qëndron mes turmës, dëgjon britmat, ndjen frikën, dhe konsidero kryesoren, se ky zemërim nuk lindi sot. Gjithçka nisi me kangjellat që u vendosën për të ndarë njerëzit nga hapësira e tyre, qytetarin nga qyteti, protestën nga institucioni”, ka shkruar Spiropali.

