Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sonte Konventën e saj, ku Bedri Hamza është zgjedhur kryetar i ri i partisë pa asnjë votë kundër. Mirëpo organizimi i Konventës brenda vetëm pesë ditësh ka nxitur reagime brenda strukturave të PDK-së.
Deputeti i kësaj partie, Enver Hoxhaj ka kritikuar ish-kryetarin Memli Krasniqi për mënyrën e organizimit duke thënë se Konventa është dashur të shtyhej të paktën për një javë siç kishte kërkuar ai.
Hoxhaj para të pranishmëve tha se nuk ka marrë pjesë në garë pasi sipas tij nuk ka pasur kushte të barabarta e as proces të drejtë.
Profesori i Shkencave Politike Nexhemedin Spahiu në një prononcim për IndeksOnline vlerëson se sfida kryesore e kryetarit të ri do të jetë menaxhimi i përplasjeve të brendshme që po zgjasin prej vitesh.
Spahiu thotë se pavarësisht strukturës zyrtare ‘kryetar faktik i PDK-së mbetet Sami Lushtaku’a, ndërsa rivaliteti i tij politik është Ramiz Lladrovci.
Ai e ka përshkruar këtë situatë si një betejë të gjatë mes dy ‘sturmbllarëve’ të PDK-së, e cila në të kaluarën është shuar vetëm nga lidershipi i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
