Analistja politike, Donika Emini, thotë se përveç mungesës së konsensusit brenda BE-së, Kosova aktualisht është vendi me më së pakti peshë në agjendën politike të BE-së.
Emini ka thënë e procesi i zgjerimit përveç teknik, është edhe një proces thellësisht politik ku pesë shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës paraqesin pengesë për avancimin në rrugën drejt BE-së.
“Por ky fakt nuk e shpjegon plotësisht mungesën e progresit. Në të kaluarën, Bashkimi Evropian ka gjetur mënyra për ta avancuar marrëdhënien me Kosovën duke tejkaluar sfidën e vendet jo-njohëse”, ka thënë Emini
Ngecjen e avancimit të Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit, Emini e lidh edhe me mungesën e progresit në dialogun për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.
“Në shumë raste, Kosova ka avancuar në raport me BE-në në periudha kur dialogu ka prodhuar një momentum politik. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është një shembull i kësaj dinamike, pasi erdhi në një moment kur proceset politike në rajon krijuan hapësirë për avancim. Sot, për shkak të mungesës së progresit në dialog dhe mungesës së një zhvillimi të ri politik në këtë proces, edhe Kosova ka humbur një pjesë të rëndësisë në agjendën e BE-së”, ka potencuar Emini për Express.
Emini thotë se s’mund të ketë progres drejt integrimit vetëm duke kërkuar statusin e vendit kandidat në takime zyrtare, por duke u angazhuar vazhdimisht në aspektin diplomatik për të bindur partnerët se avancimi i dosjes së Kosovës është në interes të BE-së.
“Mendoj se pikërisht këtu ka munguar një qasje më strategjike nga Kosova. Për shembull, Plani i Rritjes ishte një mundësi e rëndësishme për ta vendosur Kosovën në një pozitë tjetër: për të treguar se vendi mund të avancojë në reforma, se mund të jetë një histori suksesi dhe se, nëse ka pengesa, ato janë kryesisht politike. Nëse Kosova do të kishte arritur ta ndërtonte këtë narrativë dhe këtë presion politik, debati do të ishte zhvendosur më shumë te përgjegjësia e BE-së për të gjetur mënyra për ta avancuar procesin”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se Kosova në vitet e fundit është fokusuar në menaxhim të krizave të brendshme politike, duke e bërë kështu të vështirë për partnerët që të shohin Kosovën si një vend që po krijon një momentum pozitiv.
“Kështu që, për mendimin tim, kjo nuk është çështje ku vetëm BE-ja ka dështuar apo vetëm Kosova ka dështuar. BE-ja do të vazhdojë të ketë sfidën e mungesës së konsensusit për Kosovën, por njëkohësisht Kosova ka humbur një mundësi të rëndësishme për ta shtyrë përpara interesin e saj. Edhe në një BE që mbetet e ndarë për Kosovën, ekzistojnë hapësira politike për avancim, por ato kërkojnë një angazhim shumë më të thellë diplomatik dhe një strategji të qartë nga vetë Kosova”, shprehet ajo.
