Më 28 nëntor 1997, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) doli publikisht në skenë gjatë ceremonisë së varrimit të mësuesit Halit Geci në fshatin Llaushë të Skenderajt. Ky moment shënoi një zhvillim të rëndësishëm në historinë e luftës për çlirimin e Kosovës dhe u bë një nga ngjarjet më të rëndësishme të periudhës së rezistencës kundër regjimit serb.
Në ceremoninë mortore, para mijëra qytetarëve të pranishëm, u paraqitën tre pjesëtarë të UÇK-së, Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi, të cilët mbanin uniforma ushtarake dhe maska. Ata iu drejtuan të pranishmëve, duke bërë publike praninë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dalja publike e UÇK-së në Llaushë mbetet një moment me rëndësi të veçantë në kujtesën historike të Kosovës. Ajo ndodhi në një periudhë të tensioneve të mëdha politike dhe të përshkallëzimit të rezistencës ndaj pushtetit serb, disa muaj para fillimit të luftës së vitit 1998.
Në këtë dalje publike, Rexhep Selimi mbajti një fjalim të cilin mund ta lexoni më poshtë:
Vëllezër dhe motra, nëna dhe baballarë, të afërm të vëllait tonë Halit Gecaj!
Në emër të Ushtrisë për çlirimin e Kosovës u shprehim ngushëllime të sinqerta dhe ju njoftojmë se e ndajmë dhembjen me ju. Populli shqiptar në trojet e veta, këtu në Kosovën e robëruar, nëpër vite e dekada ka provuar mbi supet e veta shtypjen dhe dhunën më çnjerëzore nga pushtuesit serbë.
Na u vranë, na u burgosën e na u masakruan bijtë dhe bijat më të mira të popullit tonë të pambrojtur. Një nga këto veprime të dhunës së territorit serb është edhe vrasja e mësuesit tonë të nderuar Halit Gecaj nga Llausha, si dhe vrasja barbare e Ismet Gjocajt nga Deçani. Vrasje, dhunë, diskriminime e terror shtriu mbi këtë popull pushtuesi serb. Ai vrau fëmijë, të rinj, mësues nëpër shkolla, bujq nëpër ara. Vrau ç’nuk vrau.




