Sonte përfundon Panairi i librit, botuesit flasin për interesimin dhe sfidat e tregut Me interesim të konsiderueshëm nga lexues të moshave të ndryshme sonte përfundon edicioni i 26-të i Panairit të Librit në Prishtinë, i organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunën e Prishtinës dhe Pallatin e Rinisë.
Në ditën e fundit të panairit, përfaqësues të shtëpive botuese dhe vizitorë ndanë përshtypjet e tyre për titujt më të kërkuar, interesimin e lexuesve dhe sfidat, me të cilat po përballet tregu i librit.
Redaktorja e shtëpisë botuese “Albas”, Vesa Avdiu, tha se interesim ka pasur si për librat për fëmijë, ashtu edhe për ata për të rritur.
“Librat që shiten më së shumti ka edhe për fëmijë, po edhe për të rritur ka që shiten. Momentalisht ne e kemi librin “Unë jam Majlinda Kelmendi”, i cili është për fëmijë, por që mund të lexohet edhe nga të rriturit, i cili bëri bujë në panair, pasi ishte libri i parë i serisë “Unë jam”. Edhe seria është e re, edhe libri ishte i ri në këtë rast. Ndërsa, ka edhe libra të tjerë që shiten. Është seria e Petro Markos, e cila shitet shumë. Pastaj e kemi edhe librin “Imoralisti”, i cili edhe ai ka pasur një pëlqyeshmëri në këtë panair. Ndërsa edhe librat për fëmijë, ka shitje, për ata që janë më të vegjël, edhe tek klasikët, edhe seria “Një familje e paparë”, u shpreh Avdiu.
Ndërkaq, Alfred Beka nga shtëpia botuese “Jakup Ceraja” tha se sivjet interesimi më i madh ka qenë për librat historikë dhe biografikë.
“Janë marrë kryesisht libra nga fusha e letërsisë, kemi edhe nga fusha e historisë, filozofisë. Sivjet më shumë janë shitur këto nga fusha e historisë, për shembull, biografi ose që përshkruajnë historinë e shqiptarëve. Është ky libri më i ri që na ka ardhur i gjeneralit Rrahim Ademi, “Vetëm e vërteta”, përshkruan luftën në Kroaci, betejat, strategjitë që i ka bërë. Pastaj kemi “Golgota shqiptare”, “Luftërat ballkanike”, e kemi librin “Serbia dhe Shqipëria” nga Dimitrije Tucoviq, edhe ai është libër që sapo ka dalë nga shtypi. Kemi librin rreth jetës së Ana Frankut, vrasësit e saj në kampin e Aushvicit. Pastaj kemi nga fusha e letërsisë, për shembull, autorë të ndryshëm amerikanë si Francis Scott Fitzgerald, libri me “Tregime të Epokës së Xhazit”, kemi Giovanni Boccaccio, kemi autorë të ndryshëm, përkthime kryesisht. Shumica e librave tanë janë autorë të huaj që i përkthejmë”, tha Beka.
Sipas tij, çmimet kanë qenë nga 5 deri në 15 euro. Ai shtoi se blerësit më të shpeshtë kanë qenë personat e grupmoshës 40 deri në 50 vjeç.
