Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Komunën e Skenderajt ka njoftuar se ka nisur evidentimi i dëmeve të shkaktuara nga moti i pafavorshëm dhe breshëri që goditi komunën një ditë më parë.
Sipas njoftimit, drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Sabit Ferizi, së bashku me zyrtarët e drejtorisë, ka zhvilluar vizita në terren për të parë nga afër gjendjen në zonat e prekura.
“Gjatë ditës së sotme, Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Sabit Ferizi, së bashku me zyrtarët e drejtorisë, ka zhvilluar vizita në terren për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga moti i pafavorshëm dhe breshëri që goditi komunën një ditë më parë”, thuhet në njoftim.
Vizitat janë zhvilluar në fshatrat Vajnik, Burojë, Likoc dhe Izbicë, ku, sipas Drejtorisë, janë evidentuar dëme të konsiderueshme në kulturat e drithërave, pemëve dhe perimeve.
“Sipas vlerësimeve paraprake, vetëm në fshatin Vajnik janë dëmtuar rreth 60 hektarë të mbjella me grurë”, thuhet më tej.
