Frika se mund të mbesin pa të ardhurat e vetme mujore u shkon deri në palcë pensionistëve kosovarë, çdo gjashtë muaj.
Të lodhur nga sëmundjet, nga mosha dhe nga gjithë telashet që jeta u ka ngarkuar mbi supe, ata presin në radhë, për të dhënë një nënshkrim, a një shenjë të vogël që të dëshmojnë faktin se ende marrin frymë.
Për ironi të fatit, pas katër apo pesë dekadash pune, ata detyrohen të dëshmojnë ekzistencën e tyre e jo kontributin.
Bejtush Morina e njeh mirë këtë ndjenjë.
Në moshën 85-vjeçare, kur harresa tashmë është prezente, ai thotë se nuk e di as vetë se kur i vije koha për t’ia vërtetuar shtetit se jeton. Dhe po të mos ishte për djalin e tij, i cili kujdeset për krejt këtë punë, Bejtush veçse do ta kishte humbur pensionin.
Mirëpo, ai nuk është aspak i kënaqur me shumën që i jep shteti. Krejt kontributet e tij kanë humbur, pasi Serbia kurrë nuk i ka kthyer mjetet e punëtorëve kosovarë, as kursimet e mbajtura me vite nëpër banka, e as kontributet e tyre pensionale.
