Prokuroria Themelore në Pejë ka mbyllur rastin ndaj ministrit Elbert Krasniqi, pasi gjatë hetimeve nuk është gjetur asnjë provë që do të mbështeste dyshimet për veprën penale të kanosjes.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati i ministrit, Artan Kastrati, i cili tha se Prokuroria ka vendosur mbylljen e rastit, duke konstatuar se nuk ekziston asnjë provë apo dyshim i bazuar që do të mbështeste pretendimet e ngritura ndaj klientit të tij.
“Mirëpres vendimin e Prokurorisë Themelore në Pejë për mbylljen e rastit, pasi gjatë procedurës nuk është gjetur asnjë provë e vetme apo dyshim i bazuar që do të mbështeste pretendimet e ngritura ndaj ministrit Krasniqi kinse për ‘kanosje’ ndaj personave të panjohur për ministrin e të njohur nga organet e drejtësisë”, deklaroi Kastrati.
Ndryshe rasti kishte të bënte me një denoncim për kanosjen e dy personave, që dyshohej se kishte ndodhur më 23 nëntor 2025 në Pejë.