Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka shprehur shqetësim të thellë me rastin e bllokimit të 63 minatorëve në horizontin e 11-të të minierës, duke bërë që për orë të tëra të mos arrijnë të dalin.
Sipas kësaj sindikate, ky rast është një alarm serioz për gjendjen e sigurisë në Trepçë, duke kërkuar që kjo të mos kalojë në heshtje.
“Sindikata ka ngritur vazhdimisht shqetësimet për kushtet e punës, pajisjet e vjetruara, rrugët e emergjente, rreziqet profesionale dhe mungesën e investimeve në sigurinë dhe shëndetin e minatorëve. Minatorët nuk mund të vazhdojnë të punojnë çdo ditë me frikën se një defekt teknik mund t'u rrezikojë jetën.”, thuhet në reagim.
Nga kjo sindikatë kanë kërkuar nga institucionet përgjegjëse hetim të plotë dhe transparent të rastit, përcaktimin e përgjegjësive dhe vlerësim urgjent të gjendjes së pajisjeve, infrastrukturës, rrugëve të emergjencës dhe sistemeve të sigurisë në minierë.


