Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, e ka vlerësuar pezullimin e procesit të gradimit si një zhvillim të padëshiruar që ka ndikuar tek zyrtarët policorë dhe pritjet e tyre për avancim profesional.
Ai ka theksuar nevojën që proceset e gradimit të jenë të rregullta, të parashikueshme dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Sipas Hotit, një nga problemet kryesore që ka çuar në situatën aktuale është mungesa e organizimit të testeve për gradim për një periudhë të gjatë, duke lënë pa mundësi avancimi disa gjenerata të zyrtarëve policorë.
“Problemi kryesor mbetet periudha e gjatë gjatë së cilës nuk janë organizuar teste për gradim, çka ka ndikuar në disa gjenerata zyrtarësh që kanë mbetur pa mundësi avancimi. Kjo situatë është shoqëruar edhe me paqartësi procedurale, përfshirë anulimin e disa proceseve të mëhershme, gjë që ka krijuar pasiguri dhe perceptim negativ te zyrtarët policorë.”, ka thënë ai në një prononcim për IndeksOnline.
Ai ka paralajmëruar se pezullimi i gradimeve mund të ndikojë negativisht në motivimin dhe zhvillimin profesional të zyrtarëve policorë, veçanërisht të atyre që prej vitesh presin avancim në karrierë.
“Pezullimi i gradimeve mund të ndikojë negativisht në motivimin e zyrtarëve policorë, veçanërisht tek ata që prej vitesh presin avancim profesional. Mungesa e mundësive për zhvillim në karrierë reflekton edhe në interesimin e përgjithshëm për profesionin, prandaj është e rëndësishme që proceset e gradimit të rikthehen sa më shpejt.”, theksoi ai.
