Kryeministri Albin Kurti ka sulmuar ashpër opozitën, duke e akuzuar për bllokim të institucioneve dhe mospranim të rezultatit zgjedhor, pas dështimit të marrëveshjes me Lidhja Demokratike e Kosovës dhe refuzimit nga Partia Demokratike e Kosovës. Ai ka sulmuar ashpër dy liderët e opozitës, Bedri Hamza e Lumir Abdixhiku, duke thënë se po e bllokojnë zgejdhjen e Presidentit dhe nuk po e respektojnë vullnetin e qytetarëve, në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.
Kurti theksoi se legjislatura e dhjetë duhet ta zgjedhë presidentin dhe të shmangen zgjedhjet e reja.
“Legjislatura e dhjetë duhet ta zgjedhë presidentin, duhet t’i evitojmë zgjedhjet e reja të cilat janë të panevojshme dhe nuk sjellin gjë të re,” deklaroi ai.
Ai shtoi se institucionet duhet të funksionalizohen sa më parë.
“Kemi Kuvend, kemi qeveri, duhet të kemi edhe president. Duhet të pranohet rezultati i zgjedhjeve dhe duhet të funksionalizohet ai.”
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje me partnerët ka shumicën parlamentare.
“LVV me partnerët e saj i ka 57 deputetë, si mazhorancë jemi me 66 deputetë. Pranimi i rezultatit nënkupton që PDK duhet ta pranojë që janë 22 deputetë, janë 1/3 e mazhorancës.”
Kurti theksoi se rezultati zgjedhor është i qartë dhe duhet respektuar.
“LVV ka arritur 51.1 për qind të votës popullore, ky është një rezultat i paparë, prandaj edhe viti 2026 duhet të sillet në përputhje me këtë rezultat.”
Aifoli për ofertën që ia bëri dje PDK-së, që të ia jap postin e kryetarit të Kuvendit për Bedri Hamzën ose Vlora Çitakun.
“Unë i kam ofruar kryetarit të PDK-së Bedri Hamza që të bëhet një rrokadë ndërmjet kryetares aktuale të Kuvendit dhe nënkryetarit të PDK-së. Lirisht PDK ta bën kryetar Bedri Hamzën ose Vlora Çitakun, Albulena Haxhiu bëhet nënkryetare e Kuvendit dhe vazhdojmë tutje.”
Kurti e cilësoi ofertën si koncesion të madh nga ana e tij.



