Është arrestuar Egzon Reshani, pasi tentoi të largohej në drejtim të Serbisë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, arrestimi ka ndodhur më 3 gusht pak pas orës 22:00, kur zyrtarët e Policisë Kufitare, gjatë patrullimit dhe mbikëqyrjes së vijës kufitare në zonën e fshatit Karaqevë e Poshtme, kanë identifikuar një automjet të dyshimtë që po lëvizte nga drejtimi i fshatit Breznicë në Serbi drejt territorit të Republikës së Kosovës.
Pas ndërhyrjes së policisë, automjeti është ndaluar në fshatin Novosellë. Gjatë kontrollit, pasagjeri në automjet, i identifikuar si Egzon Reshani, ka tentuar t’u shmanget zyrtarëve policorë duke ikur me vrap në drejtim të vijës kufitare, përkatësisht drejt territorit të Serbisë.
Policia ka reaguar menjëherë dhe ka arritur ta ndalojë dhe arrestojë të dyshuarin në afërsi të kufirit, duke parandaluar largimin e tij nga territori i Kosovës.

