Milan Vukashinoviq, nga Leposaviqi, punonjës i Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe anëtar i partisë Fytyra e re e Drejtësisë Popullore, sipas ish-zëvendës ministrit, Radoica Radomiroviq, është plagosur dhe është rrëmbyer brenda territorit të Kosovës dhe tani është në gjendje të rëndë shëndetësore në një spital në Serbi.
Të hënën mbrëma KFOR-i tha se situata e sigurisë në kufijtë e Kosovës është e qetë.
Ndërsa, për dyshimet se xhandarmëria serbe ka hyrë në territorin e Kosovës dhe e ka rrëmbyer Milan Vuashinoviqin, thanë se Policia ka nisur hetim.
Indiferent ndaj këtij rasti qëndruan edhe sot kur i takuam pikërisht në vendin ku dyshohet se ndodhi rasti, pak kilometra larg kufirit me Serbinë.
Në këtë vend e takuam edhe ish zv. Ministrin e pushtetit Lokal, Radoica Radomireviqin.
Ai ka dal në vendin ku pretendon se miku i tij, bashkëpartiaku në Novo Lice Narodna Pravda, është rrëmbyer nga njerëz të armatosur e të uniformuar.
“Nga kontaktet që kemi në Serbi, miqtë e mi në Nish dhe përmes avokatit, ne kemi pyetur dhe kemi mësuar menjëherë se sulmi ndaj Milan Vukashinoviq ka ndodhur këtu dhe se pas kësaj ai është marrë dhe dërguar me tre xhipa nga persona të maskuar me uniforma të zeza dhe të gjelbra në spitalin e Prokupljes. Në spitalin e Prokupljes e kanë dorëzuar të lidhur. Kur ai hyri në autoambulancë, atëherë është lajmëruar te nëna e tij. Në Qendrën Klinike në Nish e ka pritur drejtori i qendrës klinike, gjë që nuk është e zakonshme, dhe u ka ndaluar stafit të japë çfarëdo deklarate për Milan Vukashinoviqin”, ka thënë Radomiroviq.
