Çmimet e naftës kohët e fundit po përballen me një rritje. Aktualisht, sipas naftëtarëve çmimet janë nga 1.23€ deri në 1.44€ për dizel, ndërsa benzina nga 1.24€ deri në 1.34€. Kjo rritje po ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve dhe në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Kjo rritje e çmimit po ia vështirëson edhe fitimin e të ardhurave mujore taksistit Nuha Rama, i cili thotë se shpesh nuk di nëse fitimin ditor ta ndajë për ta mbushur veturën me naftë apo për nevojat e tij personale.
“Rritja e çmimit ndikon, sepse kemi shumë shpenzime si taksistë. Punë nuk ka dhe çmimi i naftës është rreth 1 euro e 45 centë. Ne e kemi 2 euro startin për 1 kilometër e gjysmë. Nëse je në kolonë, pasagjeri zbret dhe thotë ‘s’kam më shumë, vetëm dy euro i kam’, ndërsa ne mbesim 3-4 orë në kolonë. Ne mezi presim të ndodhë diçka në botë në fatkeqësi të dikujt për t’i rritur çmimet. Unë, për shembull, nëse i marr 3, 4 apo 5 euro, çfarë të bëj me to a të qes naftë apo të blej diçka për shtëpi. Problem boll, por nuk kemi çfarë të bëjmë”, tha taksisti.
Qytetari Akif Bllaca thotë se rritja e çmimeve të naftës dhe derivateve të saj ka një ndikim të madh në Kosovë, si një nga vendet më të varfëra në Evropë.
“Rritja e çmimeve të naftës për shtetet e pasura nuk ndikon shumë, por për shtete si i yni, që jemi më të varfër në Evropë, kjo ka ndikim të madh. Kjo lidhet edhe me çmime të tjera, si të bukës, miellit dhe gjitha të tjera. Me pensionet që kemi nuk e dimë si do t’ia dalim, se kerret i kanë ata të pasurit. A të ndikojë, ndikon drejtpërdrejt në ekonominë tonë, ato që nuk mund t’i përballojmë ne. Me naftën dhe me rrymën, të gjitha çmimet po shtrenjtohen”, tha Bllaca.
Ndërkaq, një qytetar tjetër, Hasan Ramadani, thotë se shtrënjtimi i naftës është e panevojshëm, pasi, sipas tij, ka rezerva të mjaftueshme për të mos u rritur çmimi edhe për rreth tre muaj.
“Këta naftëtarët kanë rezerva, po të duan mos ta rrisin, kanë rezerva bile me muaj së paku dy tre muaj. Por çdo ditë çmimi rritet rreth 10 centë për litër, tashmë ka arritur në 1.50 euro. Nëse vazhdon kështu mund të shkojë edhe 10 euro për litër…01:40.. Elektrika edhe nafta çdo gjë që ka në tokë kanë me e rrit, çdo vend ndikojnë në të gjitha fushat. Sepse nga nafta dhe elektrika jemi të varur, me fabrika, me punë me çka të thuash prej këtyre të dyjave jemi të varur”, tha Ramadani.
