Bartësi i listës së Koalicionit Shqiptar, Shaip Kamberi në ”Click” të RTV21 ka thënë se ndryshimet politike në Serbi do të tregojnë nëse do të ketë një shkëputje përfundimtare nga politikat diskriminuese të viteve ’90 apo do të vazhdojë e njëjta qasje ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Kamberi deklaroi se për 14 vjet në Serbi ka dominuar një politikë e bazuar, sipas tij, në diskriminimin e plotë të shqiptarëve, të cilët i cilësoi si ndër shënjestrat kryesore të kësaj politike.

“Ka një ndryshim në Serbi. Për 14 vjet kemi pasur një politikë të bazuar në diskriminimin absolut të shqiptarëve dhe, në kuadër të asaj politike, shqiptarët e Luginës kanë qenë shënjestrat kryesore. Tani do të shohim se çfarë sjell ky ndryshim: a do të jetë një shkëputje përfundimtare nga politikat dhe praktikat e viteve ’90, apo do të jetë një vazhdimësi e tyre?”, tha Kamberi.