Njohësit e arsimit vlerësojnë se dhuna në shkollat e Kosovës është në rritje dhe se mungesa e raportimit të rasteve po e fsheh përmasën reale të këtij fenomeni, duke rrezikuar sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve.
Rinor Qehaja, drejtor ekzekutiv i Institutit EdGuard ka thënë se mungesa e raportimit të saktë dhe ndërhyrjes së menjëhershme nga autoritetet arsimore rrit rrezikun për zhvillimin emocional dhe intelektual të fëmijëve, duke sjellë pasoja afatgjata psikologjike dhe sociale.
Qehaja, nënvizon se është thelbësore të ekzistojë evidencë e saktë empirike për dhunën në shkolla.
“E kemi të rëndësishme që të kemi një evidencë të saktë empirike sa i përket numrit të dhunës prezente në shkollat tona. Jo vetëm të raportuara nga shkollat dhe institucionet arsimore, por edhe në raportet nga policia po ashtu. Unë rikujtoj që dhuna në shkolla ka trajta të ndryshme dhe jo gjithmonë janë të kategorizuara si dhunë fizike, mirëpo ajo çka neve na nevojitet është se çfarëdo trajte që të jetë prezente dhuna, ta kemi dokumentuar dhe kjo evidencë e dokumentuar të na shërbejë edhe për intervenime të domosdoshme nga institucionet tona, në mënyrë që ta rrisim sigurinë dhe mirëqenien e institucioneve arsimore”, tha ai.
Qehaja shtoi se shumë raste nuk trajtohen me seriozitetin e duhur dhe shpesh anashkalohen.
“Përgjithësisht, një pjesë e shkollave, jo të gjitha, rastet e dhunës në çfarëdo trajte qofshin ato, nuk i marrin me seriozitetin e duhur. Shumë prej tyre anashkalohen, shumë prej tyre në tërësi heshtën dhe shumë të tjera nuk raportohen fare ose zgjidhen brenda komunitetit. Rikujtoj se ka plot udhëzues kundër dhunës në shkolla, por sa të njëjtat gjejnë zbatim nga udhëheqësit arsimorë, nga komuniteti i mësimdhënësve për të garantuar sigurinë në institucionet arsimore, është pikëpyetje e madhe. Është një debat që meriton një vëmendje më të madhe, por edhe reagim më të qëndrueshëm institucional, qoftë si përkrahje për shkolla, qoftë si përkrahje në rritje të sigurisë brenda institucionit të shkollës, qoftë si përkrahje në rritje të vetëdijesimit në forma dhe trajta të ndryshme të dhunës, dhe përkrahje për mbrojtje për nxënës dhe përkrahje si parandalim për nxënës nga mësimdhënësit”, tha ai.
Ai theksoi se pa statistika të sakta nuk mund të ketë ndërhyrje të targetuara.
“Duhet me u siguru që këto raportime të dhunës të jenë statistika të sakta. Pra, që shkollat ta krijojnë atë vetëdije që çfarëdo forme e dhunës të raportohet dhe në bazë të këtyre të dhënave edhe të ndërtojmë një intervenim më strategjik karshi shkollave që kanë një prevalencë më të rritur të dhunës. Dhuna është më prezente në shkolla të mesme të larta, sipas supozimit tonë, sesa në shkolla fillore. Mirëpo kjo pastaj është e shpërndarë nga zona në zonë. Për me pasë një pasqyrë të vërtetë, na nevojitet që kjo të na dëshmohet me evidencë empirike, në mënyrë që edhe intervenimi jo vetëm i ministrisë, por edhe i institucioneve tjera përgjegjëse të jetë shumë më i targetuar”, tha ai.
