Një vit pas shpërthimit në kanalin Ibër-Lepenc, në fshatin Varragë në pjesën veriore të Kosovës, rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësit e saj mbeten ende të paqartë.
Shpërthimi ndodhi më 29 nëntor, 2024. Kosova e cilësoi atë si një akt terrorist dhe akuzoi Serbinë për organizimin e tij, por Beogradi i mohoi këto akuza.
Pas incidentit, SHBA-ja deklaroi se nuk ka prova që lidhin drejtpërdrejt Beogradin me shpërthimin dhe se është herët për të nxjerrë përfundime, por konfirmoi se në hetime janë përfshirë edhe agjentë të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI).
Prokuroria Speciale e Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë se rasti i shpërthimit në kanalin Ibër-Lepenc është ende nën hetim dhe se nuk mund të japë detaje për të.
Për Ehat Miftarajn, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, është e rëndësishme që hetimi të jetë profesional dhe i bazuar në prova, “për të siguruar që ata që e kryen këtë akt të dhunshëm, të ndiqen penalisht”.
Radio Evropa e Lirë pyeti edhe Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd nëse po zhvillon hetime, pasi kryeprokurori Nenad Stefanoviq tha më herët se pret “një hetim gjithëpërfshirës për të zbuluar të vërtetën dhe të gjitha faktet relevante”, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Ngjashëm, as Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it nëse është i informuar për detajet e hetimit, nëse ka pasur kërkesa për bashkëpunim mes Kosovës dhe Serbisë dhe nëse pritet së shpejti ngritja e ndonjë aktakuze.
Përndryshe, sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit e dënuan vendet perëndimore, BE-ja dhe NATO-ja, të cilat kërkuan sqarimin e plotë të rrethanave dhe nxjerrjen para drejtësisë të personave përgjegjës.
Çfarë dihet?
Ajo që dihet deri më tani është se autoritetet e Kosovës kanë arrestuar dhjetëra persona të dyshuar për lidhje me shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc dhe kanë sekuestruar armë dhe eksplozivë.
Megjithatë, vetëm Dragisha dhe Jovan Viçentijeviq janë dërguar në paraburgim.
Miftaraj thotë për Radion Evropa e Lirë se vëllezërit Viçentijeviq ndodhen që një vit në paraburgim dhe se prokuroria duhet të jetë më efikase në punën e saj.
“Prokuroria duhet ta trajtojë këtë rast si prioritar, edhe pse ende është brenda afatit ligjor prej dy vjetësh për zhvillimin e hetimeve”, thekson ai.
Portali “Betimi për Drejtësi”, që monitoron rregullisht proceset gjyqësore në Kosovë, raporton se Prokuroria Speciale e Kosovës e ngarkon Dragisha dhe Jovan Viçentijeviqin me veprat penale të terrorizmit, cenimit të rendit kushtetues dhe sigurisë publike, sepse ka dyshime të bazuara se ata e kanë dëmtuar qëllimisht kanalin Ibër-Lepenc me eksplozivë.
Autoritetet dhe Policia e Kosovës kanë thënë më herët se janë përdorur rreth 20 kilogramë eksplozivë për të hedhur në erë kanalin dhe se ky ishte sulmi më serioz ndaj infrastrukturës kritike të vendit në periudhën pas luftës.
Dëmi i shkaktuar është vlerësuar në rreth 400 mijë euro.
Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë për Radion Evropa e Lirë se, sipas burimeve të tij, hetimi i rastit mund të zgjasë më gjatë, për shkak se bëhet fjalë për një “rast të ndërlikuar”.
“Nuk është e sigurt nëse hetimi do të përfundojë me një gjykim publik dhe nëse bëhet fjalë apo jo për një sulm terrorist ndaj infrastrukturës kritike. Ka dilema nëse hetimi do t’i zbulojë të gjitha rrethanat. Organet e drejtësisë në Kosovë kanë qenë të hapura për bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, me partnerët tanë strategjikë nga SHBA-ja”, thotë Ibishi.
Narrativi i politikanëve dhe akuzat e ndërsjella
Zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë më herët se pas sulmit qëndron ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.
Radoiçiq mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023, kur u vra një polic i Kosovës, ndërsa në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – tani në detyrë – tha se ka informacione të inteligjencës se shteti i Serbisë ishte përgjegjës për financimin, planifikimin dhe logjistikën e sulmit në Ibër-Lepenc.
Por, ambasadori i atëhershëm amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha se SHBA-ja “nuk sheh asnjë provë që çon drejt Beogradit” lidhur me këtë rast.
