Një aksident i rëndë ajror ka ndodhur të enjten në një fshat pranë Bërçkos në Bosnje e Hercegovinë, ku është rrëzuar një helikopter i misionit paqeruajtës të Bashkimit Evropian, EUFOR. Si pasojë, katër persona kanë humbur jetën, ndërsa 11 të tjerë janë lënduar.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë misioni EUFOR, përmes një komunikate, ku është konfirmuar se të lënduarit janë në gjendje të qëndrueshme dhe po marrin trajtim mjekësor.
Sipas EUFOR-it, nga aksidenti nuk është dëmtuar infrastruktura civile, prona apo automjetet, ndërsa nuk ka pasur asnjë civil të lënduar.
Helikopteri i rrëzuar ishte i tipit CH-47 Chinook dhe i përkiste kontingjentit italian të misionit.
Pas aksidentit ka reaguar edhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, e cila ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave.
“Lajmi për aksidentin tragjik të helikopterit italian të EUFOR-it në Bosnje e Hercegovinë është shkak për pikëllim të thellë. Në mendjen dhe zemrat tona janë viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë ata që, të angazhuar në misionin për paqe dhe stabilitet në rajon, po kalojnë orë ankthi”, ka shkruar Meloni.
