Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, pas hetimeve të zhvilluara lidhur me rastin, me datë 02.04.2026 kanë zhvilluar një aksion në Prizren, ku është zbuluar një laborator droge për kultivimin e bimës narkotike kanabis sativa, dhe janë arrestuar dy) persona të dyshuar, si dhe janë asgjësuar rreth 300 bimë kanabis sativa të kultivuara në laborator.
Lidhur me këtë çështje penale, siç thuhet, i pandehuri M.M., në bashkëkryerje me I.M., pa autorizim, kanë kultivuar bimët me qëllim prodhimin e sasisë së madhe të narkotikëve dhe përgatitjen e tyre për shitje.
“Gjatë kontrollit, janë sekuestruar mbi 700 vazo për kultivimin e bimëve narkotike, pajisje për ndriçim, ngrohje dhe ventilim të bimëve (motorra, trafo, klimë, lidhëse dhe termostat); thasë me dhe, bidona me preparate për rritjen e bimëve, dhe libra/udhëzues për kultivimin e kanabis sativa, gjethe dhe bimë të dyshuara narkotike me peshë mbi 90 gram; substanca narkotike 1.19 gram marihuanë dhe 0.41 gram kokainë, pajisje shtesë laboratorike, përfshirë pompë spërkatjeje, matës të lagështisë dhe temperaturës, dhe mbushës radiolidhjeje, një pistoletë, 29 fishekë, një veturë “Hundai pa targa, dhe një furgon që kanë shërbyer për transportin e narkotikëve dhe të pajisjeve për kultivimin e tyre, si dhe prova të tjera materiale”, thuhet në komunikatën për media, transmeton Klankosova.tv.
