Inspektorati i Komunës së Prishtinës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK), ka ndërmarrë një aksion të gjerë që në orët e hershme të mëngjesit për largimin e shitësve ambulantë nga hapësira publike në tregun e automjeteve që mbahet çdo të diel, duke gjobitur 15 shitës ilegal, që shesin shpezë dhe bagëti të vogla.
AUVK së bashku me drejtorinë e Inspektoratit të komunës së Prishtinës, e kanë cilësuar një veprim të tillë rrezik serioz për shëndetin publik, ku shitësit ilegal në mënyrë brutale therin shpezët dhe i shesin në atë mënyrë.
Drejtori i Inspektoratit, Bekim Brestovci tha se kjo pjesë e hapësirës publike nuk është e destinuar për shitje të tilla, ku edhe ka mundur të shpërndahen infeksione të ndryshme.
Brestovci ka bërë të ditur se kjo hapësirë nga sot, në asnjë formë nuk do të jetë e destinuar për treg siç ka qenë çdo të diel.
“Inspekcioni i kryeqytetit po punon me një plan operativ në zhdukjen e disa dukurive negative të cilat i kemi në kryeqytet. Njëra prej tyre natyrisht është edhe shfrytëzimi i kësaj hapësire publike, ndryshe që njihet rruga mbrapa tregut të automjeteve.. Bëhet fjalë për një rrugë, për një hapësirë publike e cila në asnjë formë nuk është e destinuar për shitje të tilla. Kemi pasur edhe një gjendje tepër katastrofike, sepse përveç që është bërë shitja e shpezëve dhe bagëtive të vogla, këtu njëkohësisht është bërë edhe therja e tyre, gjë që ka çuar natyrisht pastaj edhe në një pamje tepër të keqe, po edhe të një dukurie e cila mund të kishte pasur edhe shpërndarje të infeksioneve të ndryshme. Kjo hapësirë tani e tutje në asnjë formë, në asnjë mënyrë dhe në asnjë periudhë kohore më nuk do të jetë e destinuar për treg, siç është përdorur deri më tani… Këta duhet t’i drejtohen komunës, është Drejtoria e Shërbimeve Publike, pastaj drejtori kompetente e cila merret me destinimin dhe dhënien në shfrytëzim të hapësirave publike”, tha Brestovci.
Ndërkohë, kryeinspektori i Inspektoratit, Alban Ymeri tha se janë shqiptuar 15 gjoba me shumë 100 euro, për ata që nuk iu janë përfillur urdhrit të inspektorëve.
Ymeri bëri të ditur se aksioni do të vazhdojë, deri në momentin që shitësit ilegal vetëdijesohen.
