Në kuadër të takimit të liderëve të Procesit Brdo–Brijuni, që po mbahet në Ohër, Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, takoi Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Presidentja Shiroka Pula theksoi se Kosova dhe Shqipëria kanë lidhje të veçanta, të rrënjosura në histori, gjuhë, kulturë dhe ndjenjën e përkatësisë së përbashkët. Ajo nënvizoi se nuk ka asgjë që i ndan dy shtetet, të cilat janë një zemër, një mendje dhe një komb, të bashkuara nga e njëjta frymë në të dy anët e kufirit.
Ajo shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj Kosovës dhe theksoi se forcimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve është përgjegjësi e përbashkët, që duhet të udhëhiqet nga afërsia dhe vullneti për të ndërtuar së bashku të ardhmen.
Në takim u diskutua edhe për orientimin strategjik të të dyja vendeve. Presidentja Shiroka Pula theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe integrimi në Bashkimin Evropian mbeten ndër prioritetet kryesore të vendit. Në këtë drejtim, ajo vlerësoi përvojën e Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe përparimin e saj në procesin e integrimit evropian, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit më të ngushtë, si dhe të shkëmbimit të përvojave ndërmjet dy vendeve.
“Presidentja Shiroka Pula vlerësoi se marrëdhëniet e veçanta ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të vazhdojnë të përkthehen në bashkëpunim konkret në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Ajo theksoi se Shqipëria është vendi me të cilin Kosova ka nënshkruar numrin më të madh të marrëveshjeve dhe memorandumeve të bashkëpunimit, një pjesë e konsiderueshme e të cilave tashmë po zbatohen”, thuhet në njoftim