Në raportin e saj vjetor , SOA hedh dritë jo vetëm mbi situatën e sigurisë në Kroaci, por edhe mbi zhvillimet në Ballkanin Perëndimor – një rajon që, sipas saj, vazhdon të përballet me sfida të thella politike dhe të sigurisë, të lidhura ngushtë me çështjet e pazgjidhura ndërshtetërore.
Edhe pse BE-ja dhe SHBA-ja mbeten të përfshira në përpjekjet për stabilizim, raporti nënvizon se zgjidhja e këtyre çështjeve vazhdon të jetë e vështirë.
Kjo klimë pasigurie, sipas SOA-s, ndikon drejtpërdrejt edhe në procesin e integrimit evropian të rajonit, i cili po ec me ritme të ngadalta.
Në vlerësimin e saj për Kosovën, SOA thekson ekzistencën e grupeve që synojnë destabilizimin e situatës në veri të vendit, ku shumica e popullsisë është serbe.
Si shembull për këtë, raporti përmend sulmin e armatosur të formacioneve serbe ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, më 24 shtator të vitit 2023, në të cilin mbeti i vrarë një polic.
Prishtina e ka akuzuar Beogradin për këtë sulm, ndërsa zyrtarët serbë kanë mohuar çdo përgjegjësi.
Raporti vëren se ende nuk është e qartë se si është organizuar ky formacion paraushtarak dhe si është armatosur me armë të rënda me origjinë ushtarake.
Për Millan Radoiçiqin, i cili ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit dhe ka qenë pjesëmarrës në të, raportohet se është larguar në Serbi, ku është marrë në pyetje, por ende pritet ngritja e procedurave penale kundër tij.
Raporti i SOA-s përmend edhe përpjekjet e autoriteteve të Kosovës për të shuar institucionet paralele serbe në veri, me qëllim forcimin e sovranitetit të shtetit dhe kufizimin e ndikimit të Beogradit në këtë zonë.
“Në rrethana të tilla, përshkallëzimi i tensioneve në Kosovë mbetet një rrezik i vazhdueshëm. Ndaj, rolin e garantuesit të sigurisë vazhdon ta luajë prania ushtarake e forcave ndërkombëtare”, përfundon SOA.
Për fqinjin verior të Kosovës, Serbinë, SOA thekson vazhdimësinë e politikës së balancimit midis Perëndimit, Rusisë dhe Kinës.
Kjo strategji përfshin edhe promovimin e konceptit të “botës serbe”, i cili synon bashkimin e serbëve në vendet fqinje – sidomos në Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë – nën ombrellën e unifikuar politike të Beogradit zyrtar.
Në nivelin e brendshëm, SOA vëren se Serbia ka përjetuar disa valë protestash antiqeveritare, të organizuara kryesisht nga studentët, të cilët kërkojnë demokratizim të shoqërisë, depolitizim të institucioneve shtetërore, forcim të lirisë së medias dhe luftë kundër korrupsionit.
Raporti thekson se – në një situatë të tillë të ndërlikuar, me polarizim shoqëror në rritje – mediat pranë strukturave qeverisëse përforcojnë një narrativ që identifikon armiq të jashtëm dhe të brendshëm.
Sipas raportit, kjo krijon një atmosferë të kërcënimit kombëtar dhe përdoret për të diskredituar protestat studentore.
Në këtë kontekst, Republika e Kroacisë përmendet si një “faktor i përhershëm antiserb”, thekson SOA.