Një 19-vjeçar është gjetur pa shenja jete pasditen e së shtunës në fshatin Nikaj të Kaçanikut.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Ferizajt, Kanun Veseli, i cili bëri të ditur se rasti është raportuar rreth orës 13:30, pasi familjarët e kanë gjetur të riun pa shenja jete.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore të Kaçanikut, hetuesit rajonalë, ekipet e forenzikës dhe ekipi mjekësor i QKMF-së në Kaçanik, të cilët kanë konstatuar vdekjen.
Sipas policisë, pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes dhe trupit, nuk janë evidentuar elemente që ngrenë dyshime për përfshirjen e personave të tjerë.
"Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se i riu ka kryer vetëvrasje. Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar hetuesit rajonalë që të vazhdojnë punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit", tha Veseli.