Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një valë të re sulmesh ndaj Iranit për natën e gjashtë radhazi, njoftoi ushtria amerikane, ndërsa përplasjet mes dy vendeve po intensifikohen për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se sulmet kishin për qëllim “dobësimin e mëtejshëm të kapaciteteve ushtarake të Iranit”. Më pas, ajo njoftoi se kishte ndaluar dhe kontrolluar një anije në kuadër të bllokadës së porteve iraniane.
Në një zhvillim që shihet si përshkallëzim i konfliktit, mediat shtetërore iraniane raportuan se sulmet amerikane goditën edhe infrastrukturë civile, përfshirë ura, një stacion hekurudhor dhe një aeroport. BBC-ja ka verifikuar një sulm ndaj një ure në perëndim të Bandar Abbasit, në provincën Hormozgan.
BBC ka kërkuar një reagim nga Shtëpia e Bardhë dhe CENTCOM, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.
Raketat amerikane goditën gjithashtu zona pranë ishullit Qeshm, afër Ngushticës së Hormuzit, si dhe objektiva në Bandar Abbas dhe Bushehr, ku ndodhet një central bërthamor.
