Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 2 milionë eurove për subvencionimin e biletave të aviacionit për diasporën, duke e cilësuar atë si të paarsyeshëm dhe të dëmshëm për ekonominë vendore.
Shahini tha se ky vendim përbën shkelje të të drejtave ekonomike dhe biznesore, pasi sipas tij, po favorizohen kompani të huaja shërbyese, ndërkohë që prodhuesit vendorë janë lënë pa mbështetje edhe në periudhat më të vështira.
“Vendimi i Qeverisë për të ndarë dy milion euro për aviokompanitë, përpos se është i paarsyeshëm, është edhe shkelje e rëndë e të drejtave ekonomike dhe biznesore, ku selekton kompanitë shërbyese me ato prodhuese. Vetëm vitin e kaluar kompanitë prodhuese kanë dalë në rrugë për shkak të rritjes së rrymës dhe Qeveria nuk e ka pa të arsyeshme t’i subvencionojë prodhuesit vendorë”, deklaroi Shahini për FrontOnline.
