Ministria e Drejtësisë e Serbisë tha të shtunën se zyrtari i Qeverisë serbe, Igor Popoviq, e nënshkroi “nën presion, dhe jo me vullnetin e tij të lirë” një marrëveshje me prokurorët e Kosovës për ta pranuar fajësinë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.
“Ne theksojmë se nënshkrimi dhe përdorimi i marrëveshjeve për pranimin e fajësisë në një rast të tillë shërben ekskluzivisht si një mjet për stigmatizim shtesë të popullit serb dhe forcimin e kontrollit politik, dhe jo si një instrument i sundimit të ligjit”, tha Ministria serbe.
Ajo nuk dha asnjë provë për të mbështetur petendimin se Popoviq e pranoi fajësinë nën presion.
Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi të premten Popoviqin me gjashtë muaj burgim për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, dënim që iu zëvendësua me një gjobë prej 3.000 eurosh, si dhe ia ndaloi hyrjen në Kosovë për dy vjet.
Popoviq – i cili është ndihmës i drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe – kishte arritur marrëveshje me Prokurorinë Sepciale të Kosovës për pranimin e fajësisë për nxitje dhe përhapje të urrejtje dhe mosdurimit ndërmjet grupeve etnike, gjatë një fjalimi të mbajtur në Hoçë të Madhe të Rahovecit më 18 korrik.
Gjatë atij fjalimi, Popoviq, ndër të tjera, e kishte cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “organizatë terroriste”.
Vetë Popoviq e pranoi të premten para gjykatësit disa herë se qëndron prapa marrëveshjes për pranimin e fajësisë dhe se marrëveshjen e kishte nënshkruar pa asnjë lloj presioni.
Në një komunikatë të shtunën, Ministria serbe pretendoi se gjyqi kundër Popoviqit ishte “një shkelje e së drejtës ndërkombëtare dhe një sulm i drejtpërdrejtë ndaj të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të popullit serb”.
“Prandaj, Republika e Serbisë do të përdorë të gjitha mjetet ligjore dhe politike për të mbrojtur Igor Popoviqin dhe për të ekspozuar këtë padrejtësi të rëndë para bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Ajo tha se marrëveshja për pranimin e fajësisë “nuk prodhon efekt juridik në rendin juridik të Serbisë”.
“Përveç kësaj, vetë marrëveshja është e pavlefshme, sepse është lidhur nën presion dhe në kushte shkeljeje të të drejtave themelore të garantuara nga Rezoluta 1244 dhe Karta e OKB-së për të Drejtat e Njeriut”, sipas aj.
