Ish-deputeti Driton Selmanaj tha se ka vendosur vetë që të mos përfshihet në listën e LDK-së për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit.
Ai tha se do të angazhohet për “fitoren e LDK-së”.
“Të nderuar anëtarë, aktivistë dhe mbështetës të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përgjatë gjithë angazhimit tim politik, kam besuar se LDK-ja nuk është thjesht një subjekt politik, por një ideal, një mision shtetformues, një identitet politik dhe moral që ka mbajtur gjallë shoqërinë tonë, frymën institucionale dhe orientimin perëndimor të Kosovës. Pikërisht për këtë arsye, çdo përgjegjësi që më është besuar e kam trajtuar me përkushtim, me kujdes e ndershmëri dhe respekt ndaj vendit tim dhe anëtarësisë sonë të jashtëzakonshme. Edhe në këto zgjedhje, si Kryetar i Degës dhe Shef i Shtabit Zgjedhor në Prizren, do të jem plotësisht i angazhuar për mobilizimin dhe fitoren e LDK-së, sepse besoj se Kosovës i duhet një LDK e fortë dhe me vizion të qartë shtetëror”, shkroi ai në një postim në Facebook.
“E me gjithë këtë, përkundër kërkesave të mëdha nga anëtarësia dhe strukturat tona, unë kësaj radhe kam vendosur që të mos jem pjesë e listës së kandidatëve për deputetë”, shtoi ai.
