Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se seanca e radhës gjyqësore në rastin “Banjska” do të mbahet më 16 janar 2026, ashtu siç ka qenë e caktuar paraprakisht.
Kështu ka konfirmuar Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Rasti Banjska do të mbahet me datën 16 janar 2026 ashtu siç ka qenë e caktuar paraprakisht”, tha Gashi.
Ndryshe, ky rast udhëhiqej nga gjykatësi Arben Hoti si kryetar i trupit gjykues, por meqë ky i fundit është avancuar në pozitën e gjyqtari në Gjykatën e Apelit, lënda i kalon një gjykatësi tjetër.
Megjithatë, nga Gjykata nuk kanë njoftuar se kujt i është ndarë kjo lëndë.
Gjykata Themelore në Prishtinë pas propozimit të prokurorit special Naim Abazi që gjykimi të vazhhdojë në mungesë, i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë. Por, Supremja, pas shqyrtimit të kërkesës “për dhënie të mendimit juridik përkitazi me nenin 303 par.7 të Kodit Procedurës Penale në rastin “Banjska”, kishte sqaruar se nuk jep mendime juridike për dilemat që ka shkalla e parë gjatë procedimit të rastit.
Kështu, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në “Banjskë” të vazhdojë në mungesë. Gjykata po ashtu kishte bërë të ditur që për këta të pandehur është lëshuar letërreshtim ndërkombëtar dhe pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre për zhvillimin e procedurës ndaj tyre.
Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u mbajt më 17 prill 2025, në të cilën tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndërsa, prokurori special Naim Abazi, mbrojtja e të akuzuarve dhe pala e dëmtuar, kanë dhënë fjalën hyrëse.
