Rumania ka arrestuar një shtetas rus të dyshuar për spiunazh ndaj bazave të saj ushtarake, duke parandaluar një plan për sabotim, ka njoftuar Shërbimi Rumun i Inteligjencës (SRI).
Shtetasi rus, i cili jeton në Rumani, u arrestua në një operacion të përbashkët me agjenci të tjera të huaja të inteligjencës, pasi kishte fotografuar zona të ndjeshme ushtarake, përfshirë baza të përdorura nga NATO-ja.
Të martën, SRI-ja ka bërë të ditur se shtetasi rus ishte nën vëzhgim që prej muajit shkurt.
40-vjeçari vepronte nën koordinimin e drejtpërdrejtë të një mbikëqyrësi rus, përmes shërbimeve të enkriptuara të mesazheve në internet, thuhet në njoftim.
I dyshuari ishte udhëzuar të mblidhte informacione ushtarake dhe të kryente vëzhgime, ka njoftuar SRI-ja.
Mediat vendase kanë raportuar se i dyshuari kishte fotografuar baza ushtarake kombëtare dhe të NATO-s, si dhe lëvizjet e trupave dhe pajisjeve nëpër vend.
Hetimi ka zbuluar se i dyshuari ishte udhëzuar të dokumentonte asete strategjike ushtarake, përfshirë avionët ukrainas të transportit “Antonov” gjatë qëndrimit të tyre në Rumani.
Disa sulme sabotimi në Evropë janë kryer nga individë rusishtfolës që vepronin si përfaqësues të drejtuar nga mbikëqyrës në Rusi, të cilët u ofronin para dhe udhëzime përmes internetit.
Evropa e ka akuzuar Moskën për zhvillimin e një fushate hibride sabotimi, sulmesh kibernetike dhe dezinformimi, që synon mbështetësit e përpjekjeve të Kievit në luftë.
Ky operacion i fundit sabotimi pason një sulm të dështuar me dron në aeroportin Leipzig/Halle, ngjarje që përshkallëzuar tensionet mes Berlinit dhe Moskës.
Kremlini ka njoftuar të martën se Vladimir Putini e kishte siguruar Donald Trumpin, gjatë një bisede telefonike njëorëshe që synonte t’i jepte fund luftës në Ukrainë, se Moska nuk ka qëllime agresive ndaj Evropës.
Rusia ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në akte sabotimi.