Nga muaji i ardhshëm paga minimale në Kosovë pritet të rritet nga 350 në 425 euro bruto, vendim ky i bërë i ditur sot nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Megjithatë, nga komuniteti i biznesit ky vendim po konsiderohet politik, si dhe i ngutshëm, pasi që sipas tyre, është marrë pa konsultim dhe pa analizë të thelluar.
Ndërkaq, sipas njohëseve të ekonomisë ky vendim për pagën minimale mund të ndikojë në rritje të informalitetit sa i përket deklarimit të pagave për punëtorë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna vlerëson se vendimi për pagën minimale është marrë me procedurë të shpejtuar dhe pa analizat e nevojshme.
Është shqetësim tek bizneset që po merren vendimet kaq shpejtë, pa konsultim, thekson Rafuna.
“Ka qenë një ftesë shumë e shpejtë, që brenda 24 orëve të takohemi dhe të vendosim për pragun e pagës minimale nga ana e ish-ministrit të Financave të cilën e kemi refuzuar për arsyeje se është çështje që kërkon studim dhe hapësirë më të madhe. E keqja më e madhe e kësaj qeverie ka qenë që gjitha vendimet që janë marrë që kanë prek biznesin janë marrë pa një studim të hollësishëm dhe konsultim me sektorin privat, mirëpo gjithmonë biznesi është befasuar. Nuk jemi kundër rritjes së pagës minimale, jemi për të bërë një studim, dhe t’i, japim hapësirë biznesit që me ardhur me një qëndrim ose vendim konkret me propozim se sa duhet të jetë paga minimale…Nuk po themi që paga minimale e propozuar që është e lartë apo e ulet, mendojmë se nëse do të jepnin hapësirë dhe kohë të analizojmë dhe të shkojmë me një propozim konkret tek qeveria sa i përket pagës minimale ndoshta kish me qenë edhe me e lartë se kaq. Është shqetësim tek bizneset që po merren vendimet kaq shpejtë, pa konsultim”, thotë Rafuna.
Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK), Kushtrim Ahmeti, e cilëson këtë proces si pjesë të fushatës zgjedhore.
“Është plotësisht fushata dhe ne kemi qenë kundër, kemi marrë pjesë në takim dhe jemi plotësisht kundër. Kemi kërkuar që qeveria duhet me qenë funskionale e plotë, për të dalë një vendim i tillë, e jo të merret në këtë periudhë, ku edhe qeveria është qeveri në detyre, ministrat shumica prej tyre janë bërë deputet, nuk ka asnjë logjike… Periudha kur po merret ky vendim është kohë që po behet puro për fushatë politike”, thotë Ahmeti.
Njohësi i ekonomisë, Naim Huruglica thotë se ndikimi real i pagës minimale në treg është i kufizuar, pasi shumica e punëdhënësve tashmë paguajnë më tepër, porse sipas tij ekziston rreziku që mund të rritet informaliteti.
“Me folë në realitet nga gjendja në tregun e punës, mund të them se shumica e sektorëve industrial ose sektorët ku kosovaret punojnë tani pagë minimale nuk ka nër 500 euro, pagë reale. Mirëpo, nëse rritja vërtetë është bërë në momentin e fundit mund të interpretohet pse është prit të bëhet tash, por nuk është bërë më herët…Paga minimale edhe kur caktohet në mënyrë ligjore, nuk do të thotë që ka me pas një ndikim direkt në përcaktimin e çmimit të tregut të punës, sepse çmimi i punës veç ka ik më lartë seç është ai. Ekziston vetëm një rrezik, nëse ka diku që paguhen njerëzit më pak mund t’i fus në informalitet”, thekson Huruglica.
